Pas shumë tentimeve pa sukses, deputetët e zgjedhur më 9 shkurt pritet të takohen sot sërish në Kuvendin e Kosovës, për të vazhduar seancën konstituive dhe për të tentuar zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit. Kjo është përpjekja e 30-të për ta formuar legjislaturën e re.
Nën drejtimin e kryesuesit Avni Dehari, të hënën Kuvendi vijoi me pikën e mbetur në rend dite – formimin e komisionit zgjedhor për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit me votim të fshehtë.
Dehari i bëri thirrje edhe një herë subjekteve që ende nuk kanë propozuar anëtarët e tyre në komision (PDK, LDK, Lista Serbe dhe AAK-Nisma), por nuk pati ndonjë përgjigje nga këto grupe parlamentare.
Përbërja e deritanishme e komisionit u hodh në votim dhe u miratua me 53 vota për, pa asnjë votë kundër apo abstenim.
Seanca do të vazhdojë sot, më 11 qershor, duke filluar nga ora 11:00.