UBT News

Përparim Rama: Prishtina – 7 minuta qytet

Kandidati i LDK-së për Kryeqytetin, Përparim Rama, prezantoi sot projektin “Prishtina – 7 minuta Qytet”.

Ai tha se Prishtina është e banorëve të saj, por gjithashtu është si kryeqytet i vendit në të qarkullon e gjithë Kosova.

Andaj, sipas tij, njerëzit me të drejtë ankohen për mbingarkesën e trafikut, mungesa e hapësirave publike, mungesën e shkollave dhe të çerdheve afër vendbanimeve, ose pamundësia e gjetjes së një vendparkimi edhe pasi kanë arritur në destinacion.

“Si rrjedhojë, për shkak të mbingarkesës në qytet, në Prishtinë nuk është fort e lehtë me qarkullu lirshëm, as në këmbë, as me transport alternativ ose urban”.

“Projekti ynë kryesor, ai i Ridefinimit të Qendrës, vjen si zgjidhje ideale e shumë problemeve urbane, të cilat ndërlidhen ngushtë me njëra-tjetrën”.

“Me riorganizimin e qendrës së qytetit, që parasheh si Qendër të re të Prishtinës të gjithë Rrethin Qendror, i cili do të tangjetohet nga 6 pika kyçe me parkingje nëntokësore, Prishtina do të shndërrohet në “7 minuta qytet””.

“Ky nocion nënkupton që secila pikë përbrenda qendrës, pra gjithçka që i nevojitet qytetarit brenda qendrës së Prishtinës, qoftë kjo shkollë, çerdhe, vend i punës, shërbim, hapësirë e gjelbëruar, kinema apo shfaqje teatrale, do të jetë vetëm 7 minuta larg në këmbë ose me transportin alternativ dhe të autobusëve urbanë, të cilët do të qarkullojnë në një frekuencë brenda 7 minutave”.

“Gjithashtu, lagjet përreth do të kenë qasje të lehtë e më të shpejtë në këtë zonë të qendrës”.

“Projekti i Ridefinimit të Qendrës së qytetit, duke e vendosur në fokus këmbësorin dhe transportin alternativ, do të na mundësojë një jetë më cilësore e më të shëndetshme, e do të na lejojë të shijojmë përjetime pozitive në përditshmërinë tonë”.

“Ridefinimi i qendrës e rritë vlerën shoqërore në gjithë këtë zonë dhe të gjitha lagjeve përreth”.

“Gjithashtu ju bëj me dije se gjatë ditëve në vijim, do të vazhdojmë takimet në të gjitha pjesët e qytetit për t’ju informuar më detajisht për projektet tona për Prishtinën praktike, të pastër dhe të përjetimeve”, tha Rama./UBTNEWS

Exit mobile version