Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka bërë të ditur se i është bashkuar qytetarëve dhe ka nënshkruar peticionin që kërkon përgjegjësi penale për kryeministrin në detyrë, Albin Kurti.
Përmes një postimi në Facebook, Rama ka kritikuar mënyrën e qeverisjes së Kurtit dhe raportin e tij me institucionet e drejtësisë.
Sipas Ramës, Kurti ka shpërfillur vendimet e Gjykatës Kushtetuese, ka kritikuar dhe përçmuar prokurorët e Republikës së Kosovës, si dhe ka përdorur paranë publike për përfitime elektorale.
Rama ka thënë se këto veprime, sipas tij, përbëjnë rrezik për demokracinë dhe shtetin dhe se për këtë arsye ka nënshkruar peticionin që kërkon përgjegjësi penale për moszbatimin e qëllimshëm të vendimeve të Kushtetueses dhe keqpërdorimin e parasë publike.
Ai ka vlerësuar se pjesëmarrja e qytetarëve në këtë peticion tregon rritje të vetëdijes qytetare dhe ka theksuar se askush nuk duhet të jetë mbi Kushtetutën dhe ligjin.
“Nuk është pronë e një partie, e aq më pak e një njeriu”, ka shkruar Rama, duke iu referuar Kosovës./A.K/
