Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka reaguar pas publikimit të materialeve që përmbajnë pretendime për parregullsi të mundshme në procesin e legalizimit të objekteve në kryeqytet, duke thënë se Komuna do të bashkëpunojë plotësisht me organet e drejtësisë.
Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Rama ka mirëpritur faktin që çështja është dërguar në Prokurori, ndërsa ka kërkuar që edhe kryeministri të përgjigjet ndaj kërkesave të institucioneve të drejtësisë.
“Mirëmëngjesi. E para, po më vjen mirë që më në fund po i drejtoheni Prokurorisë. Është lajm i mirë. Tash udhëzojeni edhe Kryeministrin t’i përgjigjet Prokurorisë, sepse ka më shumë se dy vjet që nuk i përgjigjet ftesës për intervistim”, ka shkruar Rama.
Ai ka theksuar se dyert e Komunës së Prishtinës kanë qenë dhe mbeten të hapura për organet e drejtësisë, duke garantuar bashkëpunim të plotë, transparent dhe institucional për çdo kërkesë të Prokurorisë.
“Pas vendimit të Prokurorisë, do t’i ndërmarrim pa asnjë hezitim të gjitha veprimet dhe procedurat ligjore ndaj kujtdo që rezulton se ka shkelur ligjin”, ka deklaruar Rama.
Reagimi i kryetarit të Prishtinës vjen pasi këshilltarët komunalë të Lëvizjes Vetëvendosje kanë njoftuar se kanë dorëzuar kallëzim penal ndaj Ramës dhe zyrtarëve të kabinetit të tij, duke ngritur pretendime për parregullsi të mundshme në procesin e legalizimit të objekteve në kryeqytet./A.K/
