Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT), ka publikuar Raportin Vjetor me gjetjet nga monitorimi i institucioneve korrektuese gjatë periudhës 2019-2020.
Në prezantimin e raportit u tha se është bërë përmirësim i kushteve në Shërbimin Korrektues të Kosovës, ku është evituar mbipopullimi.
Feride Rushiti, drejtoreshë e Qendrës Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës, tha se ka pasur avancim sa i përket mbipopullimit në Qendrat Korrektuese.
“Ka pasur avancim të veçantë në mbipopullim, tani Shërbimi Korrektues i Kosovës ka hapësirë te mjaftueshme dhe mbipopullimi si një dukuri që e kanë bartur ndër vite këto institucione, nuk është më sfidë që i ballafaqon këto institucione, por i takon të kaluarës”, tha ajo.
Behxhet Shala nga Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, tha se për shkak të pandemisë janë kufizuar vizitat tek të burgosurit, që sipas tij, është normale. Por ai thotë se kushtet janë të mira dhe është evituar mbipopullimi.
“Tash pak mund të flasim për kushtet fizike nëpër burgje, me ç’rast nuk kemi prani aty për shkak të kufizimeve që janë të natyrshme, që janë bërë në të gjitha vendet e botës, mirëpo para pandemisë nuk kanë qenë kushtet aq të këqija, është evituar mbipopullimi”, tha Shala.
Shqipe Malaj-Ibra nga mekanizmi për parandalim të torturës, tha se Avokati i Popullit vepron si mekanizëm kombëtar për parandalimin e torturës, i cili mekanizëm ka mandat që pa paralajmërim dhe në çdo kohë të vizitojë të gjitha vendet e privimit nga liria.