UBT News

Përmes vaksinimit të nënave gjidhënëse, imunizohen edhe foshnjat nga COVID-19

Qumështi i gjirit i nënave gjidhënëse të cilat e kanë marrë vaksinën e koronavirusit përmbajnë antitrupa që i mbrojnë foshnjat nga sëmundjet.

Kjo u bë e ditur përmes një studimi të botuar në revistën Breastfeeding Medicine. Ky studim tregon se vaksinat mund të ndihmojnë në mbrojtjen e nënës dhe foshnjës, e kjo padyshim është një arsye tjetër bindëse që gratë shtatzëna apo gjidhënëse të imunizohen, shkruan Indianexpress, transmeton Klankosova.tv.

“Gjetjet tona tregojnë se vaksinimi rezulton në një rritje të konsiderueshme të antitrupave kundër SARS-CoV-2 në qumështin e gjirit, duke sugjeruar që nënat e vaksinuara mund ta kalojnë këtë imunitet tek foshnjat e tyre”, tha Joseph Larkin, autor i studimit.

Studiuesit vunë re se kur foshnjat lindin, sistemi i tyre imunitar është i pazhvilluar, dhe kjo e bën të vështirë që foshnjat vetë të luftojnë infeksionin.

“Mendoni për qumështin e gjirit si një kuti mjetesh plot me të gjitha mjetet e ndryshme që ndihmojnë në përgatitjen e foshnjës për jetën. Vaksinimi shton një mjet tjetër në kutinë e veglave që ka potencialin të jetë veçanërisht i mirë në parandalimin e sëmundjes COVID-19”, shpjegoi profesori Josef Neu.

Studimi u krye midis dhjetorit 2020 dhe marsit 2021, kur vaksinat Pfizer dhe Moderna COVID-19 fillimisht u bënë të disponueshme për punonjësit e kujdesit shëndetësor në SHBA.

Studiuesit morën mostrën e qumështit dhe gjakut të nënave tri herë: para vaksinimit, pas dozës së parë dhe pas dozës së dytë.

“Ne pamë një përgjigje të fortë të antitrupave në gjak dhe qumështin e gjirit pas dozës së dytë-rreth njëqindfish në krahasim me nivelet para vaksinimit,” tha Lauren Stafford, një studente doktorature në laboratorin e Larkin.

Ekipi po vazhdon të hetojë sesi qumështi i gjirit që përmban antitrupat COVID-19 të fituar përmes vaksinimit i mbron foshnjat që e konsumojnë atë, derisa kjo gjë i vërteton edhe më shumë efektet pozitive të vaksinimit.

Exit mobile version