UBT News

Përmes një diskutimi konstruktiv shënohet në UBT 28 prilli – Dita Botërore e Sigurisë dhe Shëndetit në Punë

Në Parkun Shkencor Inovativ të UBT-së në Lipjan, u zhvillua një diskutim i hapur dhe konstruktiv rreth temës: “Siguria dhe Shëndeti në punë – e drejtë fundamentale”, me panelistë: profesorin Hazir Çadraku, këshilltaren për arsim dhe trajnime në Odën Ekonomike Gjermane, Besarta Hyseni dhe drejtorin e Qendrës së Trajnimit KEK, Safet Imeri.

Diskutimi filloi me prezantimin e temës dhe me një shpjegim të shkurtër për konceptet e sigurisë dhe shëndetit në punë dhe rëndësisë së tyre. Panelistët u ndalën në disa nga sfidat kryesore që përballen punëtorët në vendin tonë dhe në nivel global, duke iu referuar statistikave të fundit dhe duke ndarë me publikun përvojat e tyre personale.

Në vijim të diskutimit, panelistët folën për mjetet dhe metodat që mund të përdoren për të ndihmuar në mbrojtjen e punëtorëve në vendin tonë. Ata theksuan se është e rëndësishme që të gjithë punëtorët të kenë një kulturë të sigurisë dhe shëndetit në punë dhe të jenë të vetëdijshëm për rreziqet potenciale dhe si t’i shmangin ato. Ata u ndalën në disa nga praktikat më të mira në fushën e sigurisë dhe shëndetit në punë, siç janë trajnimet, mbikëqyrja e rregullt dhe marrja e masave parandaluese.

Panelistët diskutuan edhe për rolin e institucioneve shtetërore dhe private në mbrojtjen e punëtorëve, duke theksuar rëndësinë që institucionet të kenë politika dhe procedura të qarta dhe të vlefshme për sigurinë dhe shëndetin në punë dhe që të zbatohen efektivisht.

Exit mobile version