Në Ditën Ndërkombëtare të Sigurisë dhe Shëndetit në Punë në Prishtinë afër hapësirave të stacionit të trenit është shpalosur murali “7 të rënët”. Ky mural është përpjekje për të nderuar shtatë punëtorët e rënë në vendin e punës vitin e kaluar, dhe për të ngritur vetëdijen për rëndësinë e kushteve të sigurta dhe të shëndetshme në punë.
Murali është realizuar në kuadër të projektit “përtej punësimit” nga Qendra për Politika dhe Avokim (QPA) dhe mbështetur nga Ambasada e Suedisë në Kosovë dhe Frederich Elbert Stiftung.
Ambasadori i Suedisë në Kosovë, Jonas Westerlund tha se ky mural është rikujtim për institucionet, punëdhënësit dhe punëtorët se shëndeti në punë është prioritet. Ai tha se edhe shteti suedez ka dhënë kontributin e tij për sigurinë në punë në Kosovë.
Drejtori i Qendrës për Politika dhe Avokim (QPA), Milaim Morina tha se referuar shifrave të këtij fillim viti gjendja është shqetësuese.
Sipas tij vetëm në tre muajt e parë të vitit 2025 në vendin e punës kanë vdekur 3 punëtorë, ndërsa janë lënduar afër 90.
Menaxheri i programit në Frederich Elbert Stiftung, Egzon Osmani theksoi se ky mural është thirrje për reagim dhe ofrim të sigurisë në vendin e punës.
Dita Botërore për Sigurinë dhe Shëndetin në Punë mbahet çdo vit më 28 prill.
Kjo ditë u iniciua për të promovuar dhe diskutuar rëndësinë e të pasurit një mjedis pune të sigurt dhe të shëndetshëm. Të dhënat tregojnë se vdekjet që kanë ndodhur si pasojë e aksidenteve në punë janë 19% globalisht.