Shirat e rrëmbyeshëm në shtetin amerikanoqendror të El Salvadorit u morën jetën të paktën 11 banorëve në fundjavë, raportuan të hënën autoritetet vendase. Shefi i Mbrojtjes Civile, Luis Amaja tha se viktimat janë edhe fëmijë, të cilët janë zënë poshtë nga rrëshqitjet e dheut ose rëniet aksidentale të pemëve në rrugë, shkruhet në Reuters.
“Nëse ju kërkohet të evakuoni zonën, bëjeni. Nëse jetoni pranë një pjerrësire lëvizni drejt një zone më të sigurt. Prioriteti numër një është siguria”, deklaroi Amaja.
900 banorë të El Salvadorit aktualisht po strehohen në godina të përkohshme si pasojë e shirave që ranë mbi brigjet e Paqësorit nga Meksika Jugore drejt Panamasë Perëndimore. Meteorologët kanë parashikuar që moti në vend do të mbetet i lagësht përgjatë gjithë javës dhe situata mund të bëhet më e rrezikshme me praninë e një stuhie, që pritet të formohet në Gjirin e Meksikës. Përmbytjet prekën edhe vendet fqinje me El Salvadorin, si Hondurasi dhe Panamaja, por pa dëme serioze.
Paqësori dhe Atlantiku kanë hyrë në sezonin e uraganeve. Rreziku nga pjesa atlantike do të jetë më i lartë për shkak të efekteve atmosferike nga La Ninja dhe ngrohjes së oqeaneve./UBTNews/