OKB thotë se të paktën 258,000 njerëz janë prekur nga përmbytjet në 15 nga 18 provincat e vendit.
Përmbytjet kanë lënë rreth 100 njerëz të vrarë dhe mijëra janë prekur nga shirat e rrëmbyeshëm ndërsa autoritetet kanë shpallur një emergjencë në gjashtë nga provincat më të goditura në vend.
Hiba Morgan i Al Jazeera-s, duke raportuar nga Gezira, tha se shumë banorë janë detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre që prej kur shirat e dendur goditën rajonin më shumë se dy javë më parë.
Morgan shtoi se shumë njerëz kanë kërkuar strehim në tokë më të thatë, por se ata ende nuk kanë marrë ndonjë ndihmë.
“Çdo orë dëgjojmë se një shtëpi është rrëzuar, një sistem i kanalizimit është prishur ose një mur është rrëzuar. Nuk ka mbetur asgjë”, tha Adam Ismail, një banor i Wad Alnaeim.
Ismail shtoi se ai kishte pritur që uji të largohej në mënyrë që ai dhe nëna e tij të mund të ktheheshin dhe të rindërtonin shtëpinë e tyre përsëri. Dy javë më vonë, ai nuk është i sigurt se edhe sa kohë kjo do të zgjasë.
“Sezoni i shirave është përshkruar nga shumë njerëz si një nga më të këqijnjtë që kanë parë ndonjëherë, dhe reshjet kanë prekur pothuajse të gjithë vendin”, tha Morgan.
Tani banorët janë të shqetësuar edhe për malarien dhe infeksionet që mund të vijnë së bashku me përmbytjet.
Reshjet e mëdha në Sudan ndodhin çdo vit midis qershorit dhe tetorit.
Vitin e kaluar, shirat e rrëmbyeshëm në Sudan vranë më shumë se 80 njerëz dhe lanë mijëra shtëpi të zhytura në ujë./UBTNews/