UBT News

Përmbytjet në Stamboll: 14-vjeçari humb jetën nga rryma elektrike, mbi 2.500 raportime për motin e keq

Reshjet e dendura të shiut kanë shkaktuar përmbytje të mëdha në Stamboll të Turqisë, ku një 14-vjeçar ka humbur jetën pasi dyshohet se ra në kontakt me energjinë elektrike gjatë vërshimeve.

Sipas mediave turke, i mituri me inicialet M. I. shkeli në një pellg uji në parkun Çukurbostan, në lagjen Balat të distriktit Fatih. Ai u dërgua pa ndjenja në spital, por ndërroi jetë pavarësisht përpjekjeve të mjekëve.

Moti i keq ka shkaktuar dëme të mëdha në qytetin me rreth 16 milionë banorë. Janë raportuar më shumë se 1.200 raste përmbytjesh, 15 rrëshqitje dheu dhe dhjetëra raste të personave të bllokuar nga uji i rrëmbyeshëm.

Shërbimet emergjente kanë pranuar gjithsej 2.518 raportime të lidhura me kushtet e këqija atmosferike.

Sipas të dhënave, reshjet kanë prekur 808 objekte banimi, 280 ambiente biznesi dhe 76 automjete. Shtëpi, dyqane, rrugë dhe nënkalime janë përmbytur, ndërsa shumë automjete kanë mbetur të bllokuara në ujë./A.K/

Exit mobile version