Numri i personave që kanë humbur jetën nga përmbytjet dhe stuhitë në disa vende evropiane ka arritur në 20. Dëmet janë shkaktuar nga reshjet e dendura dhe stuhitë që kanë goditur Rumaninë, Austrinë, Polonië, Çekinë, Hungarinë dhe Sllovakinë.
Në Rumani, 7 persona kanë humbur jetën, ndërsa në Austri numri është 5. Po ashtu, 3 viktima janë raportuar në Çeki dhe 5 në Poloni. Situata në këto vende është më e rëndë se sa pritej, duke detyruar qeveritë të mobilizojnë ushtarët për të forcuar argjinaturat e lumenjve me thasë rëre.
Për më tepër, shumë ndërtesa historike në Hungari dhe Poloni janë mbyllur përkohësisht si masë mbrojtëse. Polonia ka shpallur gjendjen e “fatkeqësisë natyrore” në rajonet më të goditura.
Qytetarët në Hungari, Poloni dhe Çeki po kontribuojnë vullnetarisht në përpjekjet për të luftuar përmbytjet, ndërsa mijëra njerëz janë evakuuar. Fotografitë nga vendet e prekura tregojnë skena të evakuimeve me ndihmën e varkave dhe qytete të përmbytura.
Shirat e dendur që kanë goditur Evropën pritet të përfshijnë edhe Italinë, duke shkaktuar shqetësime se reshjet mund të sjellin përmbytje edhe në vendet e Ballkanit Perëndimor, përfshirë Serbinë, Kroacinë dhe Slloveninë, brenda një jave./UBTNews/