UBT News

Përmbytje të rënda në Rumani, 3 të vdekur dhe qindra të evakuuar

Tre persona kanë humbur jetën si pasojë e përmbytjeve të shkaktuara nga reshjet e dendura të ditëve të fundit në Rumani, transmeton Anadolu.

Sipas raportimeve të mediave kombëtare rumune, reshjet intensive që nisën gjatë fundjavës në verilindje të vendit dhe vazhduan edhe dje, shkaktuan përmbytje të mëdha.

Si pasojë e përmbytjeve, qindra persona janë evakuuar nga shtëpitë e tyre, ndërsa të paktën tre persona kanë humbur jetën.

Ekipet e shpëtimit janë vendosur në qarqet më të prekura nga përmbytjet, Neamt dhe Suceava. Vetëm në Neamt raportohet se janë evakuuar 890 persona.

Në lajme janë publikuar edhe pamje ku shihen automjete dhe mbeturina të tjera të tërhequra nga uji i fuqishëm, si dhe dëme të shumta në shtëpi.

– Rreth 3 mijë ndërhyrje për shkak të përmbytjeve në Poloni

Sipas televizionit publik polak, TVP World, reshjet e dendura kanë shkaktuar përmbytje në gjithë vendin.

Ministri i Brendshëm i Polonisë, Marcin Kierwinski, deklaroi se dje janë kryer rreth 3 mijë ndërhyrje për shkak të përmbytjeve në mbarë vendin.

Në qytetin Elblag në veri të vendit, përmbytja e lumit Kumiela gjatë natës ka bërë që rrugët të mbulohen nga uji, duke pamundësuar qarkullimin në disa zona.

Në qytetin Tolkmicko, niveli i ujit në rrugë arriti në 1,5 metra dhe shumë shtëpi pranë portit u përmbytën.

Raportohet se mbi 400 trena pasagjerësh kanë pësuar vonesa në gjithë vendin gjatë 24 orëve të fundit.

Nga ana tjetër, edhe në Çeki dhe Sllovaki, rritja e reshjeve ditët e fundit ka shkaktuar ngritjen e niveleve të lumenjve.

Në qytetin San Benedetto del Tronto, në pjesën qendrore të Italisë, reshjet e dendura kanë shkaktuar përmbytje.

Në pamjet e shpërndara në rrjetet sociale shihet se për shkak të shiut të rrëmbyeshëm, nënkalimet janë mbushur me ujë dhe shumë automjete kanë mbetur të bllokuara. Roja Bregdetare ka njoftuar në platformën X se drejtuesit e mjeteve janë shpëtuar me ndihmën e zhytësve dhe varkave.

Exit mobile version