UBT News

Përmbylli suksesshëm punimet Akademia Ndërkombëtare Verore e Shkencave Mjekësore Teknike

Akademia Ndërkombëtare Verore e Shkencave Mjekësore Teknike, në kuadër të “Global UBT Fest 2022”, ka përmbyllur suksesshëm edicionin e sivjetshëm, i cili u karakterizua me mbajtjen e shumë aktiviteteve që kishin në fokus trajtimin e temës: “Profesionistët shëndetësorë para, gjatë dhe pas pandemisë COVID-19”.

Përgjatë akademisë u shtjelluan disa tema nga folës të ndryshëm, si: profesori Ilir Ahmetgjekaj diskutoi rreth imazherisë radiologjike e infeksionit me COVID-19, si dhe për temën: “COVID-19 dhe ICV iskemike. Gjetjet Imazherike”, ku shpjegoi përdorimin e teknologjisë fotografike për të diagnostikuar dhe për të shëruar sëmundje, si dhe për kërkime shkencore, teksa profesori Zaim Gashi diskutoi rreth temës: “Gastroenterologet, endoskopia dhe COVID-19”.

Profesoresha Shqipe Agushi, ligjëroi temën: “Efektet e pandemisë COVID-19 në edukimin infermieror”, duke shtjelluar disa efekte pozitive dhe negative të pandemisë që kanë ndikuar në sistemin shëndetësor, teksa profesoresha Nafije Pajaziti ka folur rreth rolit të shërbimeve në shëndetin mendor gjatë pandemisë.

Ndër të tjera, janë realizuar edhe disa ligjërata nga profesoresha Arlinda Demaj e cila ka folur rreth temës: “Roli i infermierëve gjatë pandemisë Covid-19 në Kujdesin Parësor Shëndetësorë”, profesoresha Albina Fejza, e cila ka shtjelluar detaje rreth menaxhimit të pandemisë në Itali dhe ka krahasuar me situatën në Kosovë, duke ofruar edhe kërkime shkencore të cilat janë bërë si pasojë COVID-19, ndërsa profesori Abdullah Gruda ka folur rreth temës: “Përvojat e infermierëve gjatë pandemisë COVID-19”.

Me temën “Profesionistët shëndetësorë para, gjatë dhe pas pandemisë COVID-19”, synimi i Akademisë Ndërkombëtare Verore të drejtimeve Infermieri, Teknik i Radiologjisë dhe Teknik i Anesteziologjisë në UBT, ka qenë të bëhet një analizë më e gjerë e kërkesave shëndetësore dhe psiko-sociale të pacientëve, rreth kujdesit të pacientëve në kohë krizash, si dhe të shqyrtohet ndikimi i ambienteve të kujdesit kritik tek pacientët dhe familjet e tyre dhe strategjitë që infermierët mund të zbatojnë për të minimizuar veprimet e tilla.

Exit mobile version