UBT News

Përmbyllet me sukses Akademia Verore e Medias dhe Komunikimit në UBT: Në qendër të vëmendjes, roli i komunikimit dhe etika në media

Me një sërë aktivitetesh akademike dhe diskutimesh të thella, është përmbyllur me sukses Akademia Verore “Zhvillimi i Qëndrueshëm dhe Inovacioni në fushën e Medias”, në kuadër të Global UBT Fest. Kjo akademi shërbeu si platformë për bashkëpunim ndërmjet studentëve, ekspertëve të komunikimit dhe profesionistëve të angazhuar në mediat kosovare, duke theksuar rëndësinë e inovacionit dhe etikës në këtë fushë.

Një nga pikat e rëndesishme të akademisë ishte ligjerata e hapur me temën: “Komunikimi si mjeti më i rëndësishëm në zhvillimin dhe transformimin e shoqërisë”. Gjatë kësaj ligjërate u diskutua roli kyç i komunikimit – verbal, joverbal dhe vizual – në formësimin e marrëdhënieve sociale dhe suksesin e një shoqërie të emancipuar. U theksua se megjithëse komunikimi është i pranishëm në çdo aspekt të jetës sonë, ai shpesh merret i mirëqenë dhe nuk analizohet si proces kompleks dhe ndikues në zhvillim shoqëror.

Pjesë tjetër e rëndësishme e programit ishte edhe forumi-tryezë debati me temën “Etika në raportimin e lajmeve të ndjeshme”, që mblodhi ish-studentë të UBT të angazhuar në media të ndryshme dhe studentë aktualë të fushës së komunikimit. Në këtë diskutim u trajtuan raste konkrete të raportimit joprofesional, me fokus në pasojat që sjellin shkeljet etike në perceptimin e publikut dhe besueshmërinë e mediave.

Studentët pjesëmarrës patën mundësinë të marrin pjesë në prezantime tematike dhe debate të drejtpërdrejta, ku ndanë pikëpamjet e tyre mbi sfidat me të cilat përballen mediat në raportimin e temave të ndjeshme. Punëtoria u zhvillua për rreth dy orë dhe ofroi një ambient të hapur për shkëmbim përvojash, duke nxitur mendimin kritik dhe vetëdijen profesionale.

Akademia Verore e këtij viti dëshmoi edhe një herë përkushtimin e UBT-së në ndërtimin e një gjenerate të re gazetarësh dhe profesionistësh të medias, të pajisur me dije, etikë dhe aftësi për të ndikuar pozitivisht në zhvillimin shoqëror dhe kulturor të vendit.

Exit mobile version