UBT News

​Përmbyllet fushata për ndërgjegjësimin ndaj kancerit të gjirit

Me rastin e përfundimit të Muajit të Ndërgjegjësimit për Kancerin e Gjirit, Ministria e Shëndetësisë në bashkëpunim me Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës dhe institucionet tjera organizuan konferencën përmbyllëse.

Zëvendësministrja e Shëndetësisë, Dafina Gexha Bunjaku tha se lufta kundër kancerit të gjirit nuk përfundon me këtë fushatë. Rexha Bunjaku tha se kjo sëmundje është një sfidë që përballohet së bashku.

Derisa premtoi mbështetje dhe përmirësime të shërbimeve për të prekurit nga kjo sëmundje, Rexha Bunjaku tha se këto nuk janë vetëm premtime por obligim moral.

Ushtruesja e detyrës në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike, Ardita Baraku tha se fuqia e ndërgjegjësimit, përkushtimi për veprime dhe veprimet e bashkuara për përkrahje dhe solidaritet janë tri çështje thelbësore në luftën kundër kancerit të gjirit.

Ajo theksoi se të gjitha aktivitetet e kësaj fushe ndikojnë në ndërgjegjësimin për trajtim të hershëm dhe se shkojnë në favor të pacientëve.

Drejtoresha e Radiologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, Shkëndije Nuza tha se përmbyllja e kësaj fushate është moment i rëndësishëm për të rritur ndërgjegjësimin ndaj kancerit të gjirit.

Ajo potencoi se qëllimi i kësaj fushate është informimi, edukimi dhe mobilizimi për ta kaluar këtë sfidë të prekurit nga kjo sëmundje malinje.

Drejtori i Onkologjisë në QKUK, Ilir Kurtishi tha se gjatë këtij viti rreth 24 për qind e kancereve në këtë klinikë janë të gjirit. Ai potencoi se këtë vit ka rritje të lehtë të numrit të rasteve me këtë sëmundje malinje, për çka tha se mund ta kalojë shifrën e të prekurve krahasuar me vitin e kaluar. Referimet në vende të tjera për trajtim gjatë këtij viti nga Klinika e Onkologjisë sipas tij është zero.

Ndërsa, drejtoresha e Kirurgjisë Plastike, Violeta Zatriqi potencoi se në kuadër të rikonstruktimit të gjirit falas për gratë e prekura me kancer, janë kryer rreth 70 intervenime kirurgjike dhe 100 vizita specialistike.

Zatriqi theksoi se këto intervenime përveç në aspektin e integritetit fizik ndikojnë edhe në rikthimin e shpresës për gratë e operuara nga kanceri i gjirit.

Ajo citoi fjalët e një gruaje të cilës i është bërë rikonstruktimi i gjirit në Kirurgjisë Plastike.

Pas largimit të njërit gji nuk ndihesha vetja ime. Nuk ndihesha që jam unë. Tani që jam operuar jam e plotësuar, jam ajo që ndihesha dikur”, përcolli Zatriqi.

Ndërkaq, drejtori i Shëndetësisë, Izet Sadiku tha se duke pasur parasysh rëndësinë që ka gruaja në shoqërinë kosovare, fushata për ndërgjegjësimin e kancerit të gjirit do të vazhdojë gjatë gjithë kohës.

Exit mobile version