Aktiviteti i Fakultetit Menaxhment, Biznes dhe Ekonomi dhe Akademia e Ndërmarrësisë dhe Inovacionit, që u zhvilluan në kuadër të “Global UBT Fest 2021” janë përmbyllur me diskutime të ndryshme mbi temat në fushën e ekonomisë, ndërmarrësisë dhe inovacionit.
Në Akademinë Ndërkombëtare Verore të Fakultetit Menaxhment, Biznes dhe Ekonomi në UBT, ligjëruesi Florin Aliu trajtoi temën “Monedhat digjitale (kripto) dhe e ardhmja e parave”, përderisa ligjërata zgjoi interesim të madh tek studentët, marrë parasysh temën e cila është temë që kap përmasa globale.
Blerton Abazi, ligjërues në UBT, ka mbajtur sesionin mbi sigurinë kibernetike dhe ndikimin tek bizneset, si dhe për përballjen e tyre me sigurinë kibernetike gjatë periudhës së pandemisë.
Akademia Ndërkombëtare Verore e Ndërmarrësisë dhe Inovacionit, ka vazhduar me ligjëratën e profesorit të UBT-së, Florian Piraj, rreth edukimit dhe rolit të tij në ndërmarrësi dhe tek ndërmarrësit, duke marr shembuj konkret nga vendi, rajoni dhe bota.
Ndërkaq, Akademia Ndërkombëtare Verore e Ndërmarrësisë dhe Inovacionit, sesionin e ditës së fundit të kësaj akademie e ka vazhduar me profesoreshën Nora Sadiku Dushi, me ligjëratën e saj mbi marketingun sipërmarrës, e cila pjesëmarrësve përmes platformës online u tregoi për rëndësinë e marketingut sipërmarrës tek bizneset, duke vlerësuar që jo vetëm që është i rëndësishëm por është lokomotiva që do të sjellë vlerë për bizneset.
Që të dy këto akademi, pjesëmarrësve u kanë mundësuar që të bëhen pjesë e diskutimeve të hapura mes folësve dhe pjesëmarrësve të tjerë, të zbatojnë teori, mjete, teknika dhe aftësi të përparimit për zhvillimin e planeve të fuqishme, si dhe akceptimin e koncepteve kryesore në ndërmarrësi dhe ekonomi.