Akademia Ndërkombëtare Verore e Fakultetit Arkitekturë dhe Planifikimit Hapësinor në UBT, në kuadër të “Global UBT Fest 2022”, ka përmbyllur suksesshëm edicionin e sivjetshëm, i cili u karakterizua me pjesëmarrjen e shumë ekspertëve dhe profesionistëve të fushës së arkitekturës, si dhe pjesëmarrjen e studentëve.
Në kuadër të aktiviteteve të shumta, u mbajtën disa ligjërata tematike, ndër to edhe ligjërata e profesorit Bekim Ceko, e cila kishte të bënte me mbledhjen e informacioneve për 3D në trashëgiminë e ndërtuar, veçanërisht arkitekturën popullore. Tema ka pasur për fokus të kuptuarit e trashëgimisë së ndërtuar, veçanërisht arkitekturës popullore në aspektin e 3D dhe efektivitetin e saj në trashëgimi, duke ofruar koncepte terminologjike, praktika dhe nomenklaturë botërore në fushën e trashëgimisë kulturore, duke cituar Kartën e Athinës, Konventën Granda, si dhe rregulloret e UNESCO-s.
Ligjërata e zhvilluar nga profesoresha Mimoza Sylejmani, kishte të bënte me zgjidhjen e një problemi të komunitetit, që është hapësira e stacioneve të autobusëve nëpër qytete, qëllimi i së cilës ishte arritja e një dizajni të qëndrueshëm për stacionin e autobusit, i drejtuar nga arti dhe kultura që mund të ketë një ndikim pozitiv në komunitet duke frymëzuar një lëvizje të re dhe duke krijuar një komunitet të lumtur.
Profesori Nexhat Balaj, zhvilloi një diskutim të hapur me studentë, që kishte të bënte rreth koncepteve të dizajnit të gjelbër urban (parqe dhe hapësira rekreative), duke marr si rast studimi Parkun e Gërmisë, Parkun e qytetit të Prishtinës, si dhe pemët urbane në qendrën e qytetit, teksa profesori Binak Beqaj ka zhvilluar një punëtori me studentë rreth ndërlidhjes midis aspekteve urbane – rurale në kontekstin e integrimit hapësinor dhe funksional.
Profesorët: Blend Dema dhe Zana Prelvukaj, organizuan një seminar që kishte të bënte me projektet e zhvillimit vertikal, me hapësirat publike vertikale dhe cilësinë e hapësirës, duke marr si rast studimi qytetin e Prishtinës, për të ofruar ide dhe projekte të ndërtesave publike vertikale, me synim të kornizimit të nivelit të sipërfaqeve të gjelbra brenda qytetit.
Ndër të tjera, u zhvilluan edhe disa ligjërata tematike, si dhe prezantime nga profesorë, si Ramë Hamzaj, i cili ligjëroi rreth temës: “Strehimi si një komponent i rëndësishëm në zhvillimin e Qyteteve të Qëndrueshme dhe Zhvillimin Komunitar”, Bashkim Shala i cili diskutoi rreth temës: “Dizajn inovativ dhe i qëndrueshëm në ndriçimin e brendshëm dhe të jashtëm”, teksa Emmy Paqarada, zhvilloi një diskutim të hapur rreth temës: “Dizajni arkitektonik Historia e arkitekturës Dizajni i brendshëm Mjediset e ndërtesave (ARU)”.