Rektori i UBT-së, prof.dr. Edmond Hajrizi, zhvilloi një takim të vyeshëm me kryetaren e Komisionit për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale në Kuvendin e Kosovës, Fatmire Kollçaku.
Duke qenë se deputetja Kollçaku kryeson Këshillin për Zhvillim të Qëndrueshëm në kuadër të Kuvendit të Kosovës, fokusi kryesor i këtij takimi ishte bashkërëndimi i aktiviteteve në kuadër të angazhimeve të institucioneve publike dhe private për përmbushjen e objektivave globale për një zhvillim e shoqëri të qëndrueshme, gjithëpërfshirëse, të begatë dhe të drejtë.
Gjatë këtij takimi, rektori Hajrizi e njoftoi deputeten Kollçaku se UBT nga revista prestigjioze globale, Times Higher Education është ranguar në mesin e institucioneve më të mira në botë për impaktin në zhvillimin e qëndrueshëm.
Në rangimin e Times Higher Education, UBT është vlerësuar për rezultate të larta në zbatimin e politikave të qëndrueshme në të cilat lidhen me industrinë, inovacionin dhe infrastrukturën (SDG 9), kontributin për paqen, drejtësinë dhe institucione të forta (SDG 16), mirëqënien shëndetësore dhe fizike (SDG 3), partneritetin shumë-dimensional për zhvillimin e qëndrueshëm (SDG 17), si edhe zhdukjen e varfërisë (SDG 1).