Një përleshje fizike ka ndodhur sot mes aktivistëve të Lidhjes Demokratike dhe atyre të Vetëvendosjes në Podujevë.
Pas përleshjes mes tyre, ka reaguar Lëvizja Vetëvendosje – qendra Besianë, ku mes tjerash thanë se aktivistët e VV-së u provokuan nga ‘bandat e Agim Veliut”.
“Sot, rreth orës 14:00, para zyreve të Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Besianë, aktivistët tanë u provokuan disa herë për t’u sulmuar më pas nga banditët e Agim Veliut të cilët të gjendur para humbjes në zgjedhje hedhin shkelmat e fundit. Isa Mustafa bashkë me Agim Veliun e Nexhmi Rudarin e militantë të tyre të mbledhur para zyreve të Lëvizjes sonë i provokuan vazhdimishtë aktivistët tanë derisa, persona të këtyre bandave filluan sulmin ndaj kamermanit të organizatës sonë. Ndër ta qytetarët e pranishëm e kanë identifikuar edhe një person, i cili është polici me emrin Butrint Krasniqi. Ky polic civil, me maskë të LDK-së, ndërkohë është djali i arkatarit të Komunës së Besianës, nipi i ish-komandantit të Njësitit Special për Regjionin e Prishtinës, Amir Gërgurit e shok i afërt i djalit të Agim Veliut”, thuhet në reagimin e VV-së.
VV-ja i dënon këto provokime e sulme, të cilat sipas tyre kanë për qëllim prishjen e procesit zgjedhor.
“Lëvizja VETËVENDOSJE! i dënon këto provokime e sulme të cilat kanë për qëllim prishjen e procesit zgjedhor. Bandat e Agim Veliut, të gjendura para humbjes i duan me çdo kusht provokimet e tilla me qëllim të frikësimit të qytetarëve. Por, kjo nuk do të ndodhë. Podujeva është përcaktuar për ndryshim. Bandat që kanë udhëhequr komunën tash e 20 vjet nuk do të mund ta ndalin fitoren e qytetarëve”, thuhet në reagimin e VV-së./UBTNews