UBT News

​“Përjetim më të rëndë nuk ka”, familjarët kujtojnë të vrarët në Reçak

“Përjetim më të rëndë nuk ka”, thotë Minire Bilalli derisa kujton masakrën e Reçakut ku forcat serbe i vranë bashkëshortin, Lutfiun.

Në 26-vjetorin e masakrës, ajo qëndron pranë varrit të bashkëshortit i cili prehet në Kompleksin Memorial në Reçak – aty ku më 15 janar 1999 forcat serbe vranë mizorisht 45 civilë shqiptarë.

“Përjetim më të rëndë nuk ka. Unë e kam kuptuar [isha] në Ferizaj, kam qenë dy ditë para se të ndodh masakra, kam shkuar t’i shoh fëmijët, se unë kam qëndruar me bashkëshortin këtu. Dy ditë më herët kam shkuar atje, atje e kam kuptuar. Si e kam kuptuar, menjëherë kam ardhur. E kam pasur bashkëshortin e rënë, vjehrrën e plaguar dhe dy kunetë të plaguar në luftë, ata kanë shpëtuar…çka të them, ndjenjë më e keqe, nuk mund ta përshkruaj me fjalë… I ka lënë fëmijët e vogël, dy vjet, të madhin 12, por jeton njeriu. Jam shumë krenare me të”, thotë ajo.

Edhe Avdyl Bajrami, po qëndron sot pranë Kompleksit Memorial derisa kujton vëllain e tij.

Sipas Bajramit, kjo masakër dhe ambasadori Wiliam Walker janë historia që sot Kosova është e lirë.

“Histori më e madhe qe na solli këtë liri nuk ka. Shyqyr ranë këta, ra ai shpirtmiri Walker dhe erdhëm deri këtu…Jemi mërzitur shumë, kemi hequr shumë, por çka të bëjmë, lufta këtë e ka…Pikëllim i madh ka qenë. E kemi kaluar tash, falemnderit Zotit, prap ne duhet të jetojmë”, thotë Bajrami.

I pari që i tha botës se aty u krye krim kundër njerëzimit, ishte shefi i atëhershëm i Misionit Verifikues të OSBE-së në Kosovë, William Walker.

Walker, si çdo vit, edhe këtë përvjetor e vizitoi Reçakun.

Ngjarja e rëndë në këtë fshat nxiti reagimin e ndërkombëtarëve më shumë se dy dekada më parë, ku NATO vendosi të sulmoi caqet ushtarake policore serbe.

Të gjitha të dokumentuara, por Serbia ende e mohon masakrën e 15 janarit 1999 e cila shënoi kthesën e madhe për historinë e Kosovës.

Exit mobile version