UBT News

Përjashtohet nga shërbimi civil i sanksionuari i SHBA-së

Komisioni disiplinor ka marrë vendim ta largojë nga shërbimi civil Nexhat Krasniqin, i përfshirë në listën e zezë të Departamentit Amerikan të Shtetit, ka bërë të ditur ministri i Mjedisit, Planifikimit Infrastrukturës dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu.

Aliu në konferencë për medie, pas mbledhjes së qeverisë të mërkurën, tha se prej datës 3 nëntor kur kanë marrë informacionin për sanksionimin e Krasniqit, fillimisht kanë marrë vendim për pezullim të tij dhe më pastaj përjashtimin e tij nga shërbimi civil.

“Sot Komisioni Disiplinor ka marrë vendim për rastin e Nexhat Krasniqit. Vendimi është heqje nga shërbimi civil… Më datën 3 nëntor jemi njoftuar nga mediat se për zotërinë Krasniqi ka masë nga SHBA-ja dhe në po të njëjtën ditë është marrë vendimi për pezullim nga pozita, në po atë ditë, madje pasdite ka qenë. Që nga ajo ditë deri më sot kemi arritur në pozitën kur zotëri Nexhat Krasniqi me vendimin e Komisionit Disiplinor është hequr nga shërbimi civil. Në ndërkohë me datën 15 nëntor është vendosur në pozitë ushtrues detyre të përkohshëm për të cilën pastaj do të hapet konkursi për dy pozitat dhe më datën 20 nëntor është bërë kërkesa për të marrë këtë vendim që është marrë sot më 22 nëntor. Ky është procesi që ne e kemi mbajtur të informuar opinionin, qeverinë dhe Ambasadën e SHBA-së. Ky është një proces që ka shkuar normal”, tha ai.

Aliu theksoi se shumica e projekteve infrastrukturore janë audituar, mirëpo në koordinim edhe me Departamentit Amerikan të Shtetit dhe informacionet që do t’i marrin pas kësaj situate për çfarëdo situate të dyshimtë do të kërkohet auditim.

“Në shumicën e projekteve ato janë audituar. Përpos që organizojmë auditime të veçanta ne vetë. Auditimin e rregullt e kemi të brendshëm dhe të jashtëm, por tash pas kësaj situate, duke pritur edhe informacione që do të marrin nga Departamenti i Shtetit mbi situatën që ka të bëjë me Nexhat Krasniqin. Çka do që shpie në ndonjë situatë të veçantë, do të kërkohet auditim”, shtoi Aliu.

Krahas kësaj, ministri Aliu, i është përgjigjur edhe ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu, për rastin e të sanksionuarit nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Nexhat Krasniqi, duke falënderuar me ironi ministren që, sipas tij, përkundër të gjitha sfidave në sistemin e drejtësisë u përpoq të ndihmonte në këtë çështje.

Haxhiu kishte thënë se është e papranueshme që personat që janë në listë të zezë për dyshime në përfshirje të aferave korruptive apo në veprime të kundërligjshme të jenë në institucionet e Kosovës e sidomos të jenë në institucione të ndjeshme.

“Ministria jonë, respektivisht edhe drejtësia vuan nga (mungesa)e drejtësisë. Sidomos pjesa e infrastrukturës vuan nga një drejtësi e mirëfilltë e të gjithë sistemit tek ne. E dimë që ministrja ka tepër shumë punë në vendosjen e këtij sistemi të drejtësisë. Megjithatë, e falënderoj ministren që ka gjetur kohë që edhe përkundër kësaj pune të na ndihmojë në këtë çështje, ndonëse deklarata ka qenë në atë ditë kur ne kemi marrë vendimin”, theksoi Aliu.

SHBA-ja në arsyetimin për vendosjen e Krasniqit në listën e sanksioneve, tha se ai ka qenë i përfshirë në korrupsion të madh gjatë kohës sa ka qenë drejtor i Departamentit të Prokurimit në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë.

Exit mobile version