Kina ka pranuar se shpërthimi i fundit i koronavirusit të ri (COVID-19) në vend është “i ndërlikuar”, pasi lloji Delta i këtij virusi ka çuar numrin e infeksioneve ditore në pikën më të lartë që nga muaji janar, transmeton Anadolu Agency (AA).
Komisioni Kombëtar i Shëndetit (NHC) së fundmi njoftoi se gjithsej 124 infeksione të tjera u regjistruan gjatë ditës së kaluar, përfshirë 80 raste të transmetuara lokalisht.
Numri i përgjithshëm i rasteve të konfirmuara me koronavirus në Kinë që nga dhjetori i vitit 2019 ka arritur në 93.498, përfshirë 4.636 vdekje.
Shumica e rasteve të reja lokale janë regjistruar në provincën Jiangsu, respektivisht 61 raste, ndërsa kjo provincë është bërë epiqendra e shpërthimit të virusit të ri në Kinë.
Infeksionet janë raportuar në të paktën 15 provinca që kur lloji shumë i transmetueshëm Delta muajin e kaluar u zbulua në kryeqytetin Nanjing të provincës Jiangsu.
“Ringjallja e fundit e virusit COVID-19 në Kinë, e shkaktuar kryesisht nga lloji Delta, është më e ndërlikuar, por epidemia në përgjithësi është e kontrollueshme”, tha në një konferencë për media He Qinghua, një zyrtar i lartë i NHC-së.
“Për sa kohë që autoritetet lokale në mënyrë rigoroze zbatojnë masa të ndryshme parandalimi dhe kontrolli, mendoj se epidemia do të jetë kryesisht nën kontroll brenda dy deri në tre periudhave të inkubacionit”, shtoi ai.
Ai pranoi se vala aktuale “ka çuar në një sforcim të përpjekjeve të reagimit, pasi ka burime të shumta të importuara dhe ka prekur një gamë të gjerë njerëzish dhe vendesh”.
Përhapja e re e nxitur nga lloji Delta, i cili është përhapur në gjithë botën që kur u zbulua në Indi, ka nxitur autoritetet kineze të marrin masa të rrepta, përfshirë kufizimet në udhëtime dhe aktivitetet akademike.