UBT News

Përgjimet e Kusari-Lilës me Simiqin, Tahiri: Kërkojmë përgjegjësi nga kryeministri

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës po kërkon përgjegjësi nga ana e qeverisë, pas publikimit të disa përgjimeve, ku e përfshirë është shefja e deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila.

Shefi i deputetëve të AAK-së, Besnik Tahiri, deklaroi se dorëheqja është më e pakta që duhet të ndodhë.

Ai shtoi se temat të cilat janë trajtuar gjatë komunikimit të Kusari-Lilës dhe përfaqësuesve të Listës Serbe janë të interesit shtetëror dhe kanë të bëjnë me shkelje flagrante të ligjit.

Në konferencë për media, shefi i deputetëve të AAK-së kërkoi sqarime nga kryeministri, Albin Kurti.

“Përgjimet e sotshme janë shumë serioze, jo pse është publikuar një bisedë në mes të shefes së GP-së së LVV-së dhe Listës Srpska, por sepse aty shpërfaqet një marrëveshje e cila paska qenë një marrëveshje që nga dita e parë e kësaj qeverie, një marrëveshje sekrete në mes të Listës Srpska dhe Lëvizjes Vetëvendosje. E dyta, ajo që duhet fillimisht ta trajtojmë shumë serioz, është se temat të cilat janë diskutuar në këtë takim janë të interesit shtetëror dhe se shkeljet janë flagrante, si në raport me ligjin ashtu edhe me moralin politik. Në këtë aspekt ajo që ne kërkojmë si Aleancë për Ardhmërinë e Kosovës, është përgjegjësi të drejtpërdrejt nga kryeministri, i cili duhet të jap sqarimet e menjëhershme në raport me këto tema”, deklaroi ai.

Më tej, Tahiri shtoi se përgjimet flasin edhe për rrymën në veri dhe për çështjen e veteranëve.

“Në këtë përgjim, shpërfaqet diskutimi rreth rrymës në veriun e Kosovës. Ju e dini që aspekti i rrymës dhe energjisë, është tema më korruptive, e cila tash e saj muaj trajtohet në diskursin publik dhe tanimë dihet se është edhe në një hetim. E dyta, për AAK është e paimagjinueshme që në një takim të tillë të diskutohet koordinimi për çështjen e veteranëve, e cila është paralajmëruar se do të dal. E treta, e bën edhe më problematike fakti që në një varfëri të skaksjhme është diskutuar që të stopohet trusti, i cili është diskutuar si kauzë me muaj të tërë. Dhe e fundit, shihet shumë qartë që ky rol relacion ka qenë relacion sekret në mes të dyja subjekteve politike. Ndërsa, është trumbetuar përgjatë gjithë kohës që nuk ka koalicion mes LVV-së dhe Republika Srpska”, shtoi Tahiri.

Shefi i deputetëve të AAK-së tha para gazetarëve se qeveria aktuale nuk ka moral politik dhe akuzat e tyre ndaj qeverive të kaluara, kanë qenë mashtrim.

“A jeni duke e parë se gjatë gjithë kohës akuzat të cilat janë drejtuara ndaj subjekteve politike, drejtpërdrejt nga ne, kanë qenë mashtrim, goditje e ultë për të cilat kryeministri dhe kjo qeveri duhet të jap përgjegjësi. Dorëheqja është më e pakta që duhet të ndodhë, për shkak se ky është një kulminacion i cili tregon fytyrën e vërtetë të kësaj qeverie”, përfundoi Tahiri.

Gjatë ditës janë publikuar disa përgjime ku e përfshirë është Kusari-Lila dhe anëtari i Listës Serbe, Slavko Simiq.

Exit mobile version