Startup-i francez i inteligjencës artificiale Mistral njoftoi sot se do të investojë 1.2 miliard euro në infrastrukturën digjhitale në Suedi, duke përfshirë qendrat e të dhënave të inteligjencës artificiale.
Njoftimi vjen ndërsa Evropa nxiton të ndërtojë infrastrukturën e nevojshme për të fuqizuar mjetet e inteligjencës artificiale që zhvillohen me shpejtësi, duke kërkuar të forcojë sovranitetin teknologjik përballë tensioneve gjeopolitike në rritje.
Fondet do të mundësojnë zhvillimin e qendrave të të dhënave të inteligjencës artificiale, kapaciteteve të avancuara të informatikës dhe aftësive të lokalizuara të inteligjencës artificiale, njoftoi Mistral, raporton CNBC.
E themeluar në vitin 2023, Mistral është vendosur si një nga kompanitë kryesore evropiane të inteligjencës artificiale dhe në shtator mblodhi një raund financimi prej 1.7 miliardë eurosh, duke arritur një vlerësim prej 11.7 miliardë eurosh. Prodhuesi holandez i pajisjeve të çipave ASML mori pjesë në raund me 1.3 miliardë euro.
Investitorët e kompanisë përfshijnë gjigantët e teknologjisë Nvidia dhe Microsoft, si dhe DST Global, Andreessen Horowitz, BPI France, General Catalyst dhe Index Ventures.
“Ky investim është një hap konkret drejt ndërtimit të kapaciteteve të pavarura në Evropë, të dedikuara për inteligjencën artificiale”, tha në njoftim drejtori ekzekutiv i Mistral, Artur Mensh.
“Duke ofruar një ofertë plotësisht vertikale, me të dhëna të përpunuara dhe të ruajtura në nivel lokal, ne po forcojmë autonominë strategjike dhe konkurrueshmërinë evropiane”, shtoi ai. “Kështu, ne po hedhim themelet për një re evropiane të inteligjencës artificiale që mund t’u shërbejë industrive, institucioneve publike dhe studiuesve në shkallë të gjerë”.
Fillimisht, kompania u përqendrua në zhvillimin e modeleve të mëdha gjuhësore (LLM), por ndërkohë e ka zgjeruar ofertën e saj për të përfshirë infrastrukturën e nevojshme për të drejtuar sistemet e inteligjencës artificiale.
Në qershor, ajo lançoi Mistral Compute, të cilin pretendon se mund të ofrojë një “stack” të integruar – duke përfshirë njësi përpunimi grafik (GPU), ndërfaqe programimi aplikacionesh (API) dhe shërbime të tilla si një platformë e menaxhuar plotësisht si shërbim (PaaS).
Vendet nordike konsiderohen si një nga vendet më të mira në Evropë për objektet kompjuterike, falë temperaturave më të ftohta dhe ndër kostot më të ulëta të energjisë në rajon.
Në korrik, OpenAI njoftoi se do të lansonte një qendër të dhënash të IA-së në Norvegji si pjesë e iniciativës së saj Stargate.
Si pjesë e investimit, Mistral do të hyjë në një partneritet me kompaninë suedeze EcoDataCenter, me qëllim ngritjen e kapaciteteve kompjuterike të IA-së “në shkallë të gjerë”, që është investimi i parë i startup-it francez në infrastrukturën e IA-së jashtë tregut të saj vendas.
Objekti duhet të hapet në vitin 2027 dhe do të mbështesë zhvillimin dhe funksionimin e modeleve të IA-së të gjeneratës së ardhshme të Mistral.
Edhe pse Mistral është ndërtuesi më i mirë i financuar i LLM në Evropë – pasi ka mbledhur 2.9 miliardë dollarë, sipas platformës së ndjekjes së marrëveshjeve të investimeve Dealroom, ajo mbetet prapa rivalëve amerikanë që kanë raunde të mëdha financimi privat.
OpenAI, siç thanë burimet për CNBC këtë javë, po përpiqet të mbyllë një raund financimi që mund të arrijë në 100 miliardë dollarë, ndërsa Anthropic nënshkroi një fletë me kushte për një raund prej 10 miliardë dollarësh në janar.
/Forbes/
