Ka përfunduar takimi ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq.
Pas takimit, Vuçiq në një prononcim për media ka thënë se takimi ka përfunduar pa sukses.
Ai tha se bisedimet me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, përfunduan pa sukses “në kuptimin e gjetjes së një rruge të qartë drejt normalizimit të marrëdhënieve”, shkruan REL.
Dy udhëheqësit u takuan të enjten në Bruksel – për herë të parë pas më shumë se katër muajsh.
“Ne të gjithë i kemi propozimet tona, shqiptarët i kanë të tyret, ne i kemi tonat. Në fund, ne si Serbi e kemi pranuar propozimin e kompromisit të BE-së. Kurti nuk ka dashur ta pranojë. Takimi ka përfunduar”, u tha Vuçiq gazetarëve.
I pyetur nga ta se cili ishte propozimi i BE-së, ai tha se, para së gjithash, flitet për Asociacionin e komunave me shumicë serbe – “të shohim nëse kemi proces të besueshëm ose jo”.
“Është e qartë se Kurti, thjesht, i shmanget formimit të Asociacionit… Ky është thelbi i gjithçkaje. Serbia nuk ik nga detyrimet e saj”, tha Vuçiq.
Kurti dhe Vuçiq zhvilluan paraprakisht takime të ndara me ndërmjetësuesit e dialogut, shefin e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, dhe të dërguarin e BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak.