Sot është mbajtur seanca dëgjimore për caktimin e masës së paraburgimit ndaj L.G, i dyshuar për keqpërdorimin e mbi dy milionë eurove nga Thesari i Shtetit.
Avokati i tij, Veton Rrecaj deklaroi se pas orës 13:00 pritet të bëhet publik vendimi nga Prokuroria.
Rrecaj theksoi se Prokuroria paraqiti arsye për masën e paraburgimit, por sipas tij, s’paraqiti asnjë provë relevante.
“I mbrojturi im dyshohet për një transaksion mbi dy milionë euro, e cila nuk ishte e bazuar. Ju e patë edhe ministren Bajrami që tha se paratë janë të sigurta, pra si mund të jetë një send i sigurt, nëse është keqpërdorur apo vjedhur. Pra deklarata e të njëjtës është në kundërshtim të plotë me kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit”, tha ai para mediave.
Rrecaj theksoi se shpreson që Gjykata të paraqesë një vendim të drejtë, teksa ka propozuar që edhe ministrja Hykmete Bajrami të pyetet se ku janë ato mjete nëse janë të sigurta.
“Ne kemi propozuar që të pyetet edhe zonja ministre se ku janë ato mjete nëse janë të sigurta. Ajo duhet të japë sqarime nëse janë bllokuar kontot, sepse Prokuroria po thotë që ato mjete nuk janë kthyer”, deklaroi ai para mediave./UBTNews