Përfundon seanca fillestare për caktimin e paraburgimit ndaj Fatmir Shehollit
Sot u mbajt seanca fillestare në Gjykatën Themelore në Prishtinë ndaj Fatmir Shehollit, ku pritet të caktohet masa e paraburgimit.
Sheholli u arrestua më 9 tetor 2025 nga Policia e Kosovës në bashkëpunim të ngushtë me AKI-në dhe prokurorinë nën dyshimet se ishte i përfshirë në spiunazh.
Gjykata Themelore në Prishtinë do të lëshojë vendimin.
Sheholli është arrestuar në rajonin e Prishtinës nga hetuesit policorë të Drejtorisë për hetimin e krimit të organizuar dhe krimeve të rënda në Policinë e Kosovës. Ai fillimisht u ndalua për 48 orë dhe autoritetet kryen bastisje në vendbanimin e tij “me qëllim të sigurimit të provave të tjera materiale”.
Për arrestimin e Shehollit shkroi të enjten ministri në detyrë i Brendshëm, Xhelal Sveçla.
“Pres trajtim institucional me seriozitet të lartë të këtij rasti, i cili përbën një nga aktet më të rënda ndaj sigurisë dhe rendit kushtetues të Republikës së Kosovës”, tha ai.
Fatmir Sheholli, zyrtarisht përfaqësues i shoqërisë civile nga Instituti për Avancimin e Marrëdhënieve Ndëretnike, është përfolur në media për lidhje me Serbinë. Në vitet ’90, gjatë regjimit të Sllobodan Millosheviqit, ai ka punuar në Sigurimin Shtetëror të Serbisë (UDB)./D.B/KP