Seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit të Kosovës e ftuar nga opozita, është ndërprerë pasi vetë partitë opozitare kanë vendosur ta ndërpresin atë për të mbajtur një konferencë për medie para Radiotelevizionit të Kosovës. Vazhdimi i kësaj seance do të ndodh ditëve në vijim.
Ky aksion erdhi pasi RTK nuk e transmetoi seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës.
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri tha se është e patolerueshme qasja e RTK-së karshi opozitës.
“Ne tani do ta ndërprejmë seancën me një arsye të vetme që para RTK ta mbajmë një konferencë dhe t’i adresojmë çështjet të cilat na brengosin jashtëzakonisht shumë, sjellja e RTK karshi opozitës dhe Kuvendit të Kosovës është e patolerueshme, bllokimi i fjalës, tentimi për ta shmangur nga vëmendja e qytetarit aferën të cilën e ekspozon një grup parlamentar është i papranueshëm”, theksoi ai.
Seanca e jashtëzakonshme rend dite kishte procesin e përllogaritjes së borxheve të kompanive ambalazhuese të ujit, si dhe mënyrën dhe bazën e shlyerjes së borxheve nga Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës.
Edhe në këtë seancë nuk po marrin pjesë deputetët e mazhorancës.
Para se të fillonte seanca deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës vendosën kapela të zeza tek ulëset e deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje.