Akademia Ndërkombëtare Verore për Produkte dhe Shërbime Profesionale, në kuadër të “Global UBT Fest 2022”, ka përfunduar suksesshëm programin për këtë vit, në të cilin janë përfshirë shumë aktivitete që ndërlidhnin ligjërata dhe punëtori për tema të ndryshme.
Në këtë akademi janë përfshirë disa ligjërata tematike nga stafi akademik i UBT-së, duke shtjelluar gjerësisht tema të ndryshme, të cilat i kanë ndihmuar studentëve dhe pjesëmarrësve të tjerë të përfitojë dhe përforcojnë njohuritë e tyre të fituara përgjatë studimeve.
Drejtori i Qendrës për Produkte dhe Shërbime Profesionale në UBT, Besnik Skenderi, ka zhvilluar një ligjëratë rreth temës: “E Ardhmja e Edukimit Formal dhe Zhvillimi Rapid i Teknologjisë”, duke shtjelluar gjerësisht rëndësinë e zhvillimit të teknologjisë në arsim, teksa profesoresha Denis Celcima, ka folur rreth traumave psikike tek njerëzit gjatë pandemisë COVID-19.
Ndër të tjera, janë trajtuar edhe disa tema të tjera nga stafi i UBT-së: Izet Kelmendi, Hazer Dana, Halili Bashota, Albiona Musa dhe Afërdita Rizaj, të cilat diskutuan rreth rëndësisë së probabilitetit matematikor dhe zbatimin e tij në jetën praktike, të ardhmen e shitjeve dhe ofrimit të shërbimeve duke ofruar marketingun e personalizuar, rëndësinë dhe sfidat e certifikimeve për gjuhën angleze, shkrirjen e akullnajave dhe mbylljen e vrimës së ozonit, rëndësinë e përshtatjes në shkollën e mesme, si dhe të dhënat e fshehta të dhëmbëve.