Rreth 100 ish-punëtorë të komunës paralele në veri të Mitrovicës janë tubuar sot në mëngjes në ora 07:30, para objektit komunal në veri të Mitrovicës, duke protestuar për pamundësinë e tyre për të hyrë në objekt dhe për të punuar.
Numër i shtuar i pjesëtarëve të Policisë së Kosovës vërehet para këtij objekti, ku edhe janë vendosur shiritat të cilat pamundësojnë qasjen në objekt.
“Ne sot kemi ardhur për t’u lajmëruar në punë dhe jo për të protestuar. Rreth 1700 punëtorë kanë mbetur pa paga ndërkohë që neve askush nuk kana ka informuar asgjë”, ka thënë njëri prej pjesëmarrësve në protestë.
Bëhet fjalë për objektin ditë më parë institucionet tona kanë vendosur stemën e Republikës së Kosovës, objekt ai që përdorej nga strukturat paralele. Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për Rajonin e veriut, Veton Elshani ka dhënë detaje lidhur me protestën.
“Sot kanë ardhur punëtorët të cilët kanë punuar në strukturat paralele për t’u paraqitur në punë. Në mesin e tyre ka pas edhe qytetarë të cilët janë bashkëngjite, kanë qenë diku 70-80 persona. Protesta ka qenë, në fakt kanë tentuar të hynë brenda për të punuar, ne i kemi treguar që kjo ndërtesë është duke u hetuar nga prokurori në Mitrovicë dhe si i tillë është i blinduar dhe as ne si polici nuk mund të hymë brenda. Kjo është sqaruar nga kolegët tonë që kanë qenë këtu, masat janë marrë të sigurisë që në rast se ka nevojë për ndërhyrje ta bëjmë një gjë të tillë, por nuk ka pas nevojë, cdo gjë ka kaluar qetë”, tha ai.
Ai edhe një herë ka dhënë detaje lidhur me hetimet që po zhvillohen në këtë ndërtesë dhe qëllimin se për çka do të shfrytëzohet.
“Rasti lidhet me falsifikim të dokumentacioneve të punës së strukturës paralele, çështje të tjera, ndërsa dihet se kjo ndërtesë është pronë e Komunës së Mitrovicës, e cila iu është dhënë në shfrytëzim Ministrisë së Infrastrukturës e që për qëllime në fund ka hapjen e qendrës për trajnim të patentë shoferëve”, tha ai.