Ka përfunduar protesta e organizuar nga bizneset dhe odat e bizneseve, e cila ka qenë kundër vendimit për liberalizimin e tregut të energjisë. Bizneset protestuan me bllokimin e disa hyrjeve në Prishtinë kundër vendimit për kalimin e bizneseve në tregun e lirë të energjisë elektrike më 1 qershor.
Kryetari i Odes Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna tha se kërkesa mbetet që institucionet t’ua mundësojnë bizneseve një faze të tranzicionit.
“Arritëm në fund të protestës, jemi të kënaqur me efektin e protestës, pjesëmarrjen e protestës. Kërkesa jonë mbete që institucionet e vendit të reflektojnë, t’ua mundësojnë biznesit një fazë të tranzicionit, as më shumë, as më pak se sa e kanë pasur bizneset në vendet e rajonit dhe më gjerë. Kërkojmë që të reflejtonë nëse nuk do të ketë reflektim, ne do të vazhdojmë, këshilli protestues do të takohet dhe do të shohim hapat e tjerë”, tha Rafuna.
Rafuna paralajmëroi se protesta do të radikalizohet nëse nuk ka reflektim nga institucionet shtetërore.
“Qoftë se nuk do të ketë refkeltim, protesta do të shkojnë duke u radikalizuar. Arsyeja ka qenë për shkak të ushtrimeve Defender që janë duke u zhvilluar në Kosovës, kjo është vetëm dita e parë e protestës, nuk nënkupton kjo që në të ardhmen nuk do të bllokohet”, shtoi Rafuna./KP