Në Qendrën e Numërimit të Rezultateve (QNR) ka përfunduar numërimi i votave me kusht dhe atyre me nevoja të veçanta për komunën e Podujevës.
Në bazë të të dhënave të Komisionit Qendror Zgjedhor (KQZ), kandidati i Vetëvendosjes për kryetar të komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi ka marrë më së shumti vota. Bulliqi ka siguruar 243 vota.
Ndërsa kandidati për kryetar të kësaj komune nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Ekrem Hyseni ka marrë 204 vota.
Sipas infografikës së publikuar nga KQZ, kandidati i AAK për të parin e Podujevës, Besnik Tahiri mori 27 vota. Kurse, kandidatja e PDK-së, Floretë Zjenullahu ka siguruar 13 vota.
Nga rezultatet e zgjedhjeve lokale të 13 tetorit, komuna e Podujevës nuk mundi të nxjerrë kandidatin fitues për të parin e saj që do të qeverisë për katër vitet e ardhshme. Llapjanët edhe njëherë do t’iu drejtohen kutive të votimit për të votuar për kryetarin e tyre. Më 14 nëntor do të mbahet raundi i dytë i zgjedhjeve për komunat që shkuan në balotazh.
Kujtojmë që Bulliqi ka marrë numrin më të madh të votave edhe nga ato me postë. Sipas KQZ-së, Shpejtim Bulliqi ka marrë 161 vota, ndërsa Ekrem Hyseni nga LDK-ja ka marrë vetëm 25 vota.