Ka përfunduar seanca e sotme plenare në Kuvendin e Kosovës, ku pyetjet parlamentare ishin pika e vetme e rendit të ditës.
Pavarësisht se nga kabineti qeveritar në fillim të seancës bënë të ditur se nuk do përgjigjen pyetjeve parlamentare të bëra nga deputetët opozitarë që nuk po votojnë marrëveshjet ndërkombëtare, sërish pati polemika mes ekzekutivit dhe opozitarëve.
Deputeti i PDK-së, Mërgim Lushtaku e quajti autokrate qeverinë Kurti derisa e akuzoi se po shkel Kushtetutën me mospërgjigjet ndaj pyetjeve parlamentare.
“Kemi një tjetër dimension të qeverisë autokrate në vend. Edhe pse jemi shtet demokratik, shihet qartë se shkelet Kushtetuta dhe formalisht bëhen kinse po përgjigjen dhe kështu formalisht bëhen kinse po punojnë. Me të vërtet këta nuk i kanë marrë seriozisht përgjegjësitë që iu ka jep qytetari për të udhëhequr vendi”, tha ai.
Megjithatë, atij iu përgjigj ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, e cila tha se gjuha e përdorur nga deputeti Lushtaku është nën nivelin e legjislativit, derisa kërkoi nga ai dhe deputetët të tjerë opozitarë të votojnë marrëveshjet ndërkombëtare.
“Deputet dole për t’i bërë tri pyetje por nuk e bërë asnjë pyetje. Gjuhën që e përdore nuk mund t’i përgjigjem unë. Megjithatë një nga marrëveshjet që ju së bashku me kolegët e juaj nuk e keni votuar është ajo mes Francës ku përfitojnë katër studentë tanë. Unë ju ftoj që të votoni dhe mos t’iu mohoni mundësinë të rinjve tanë”, tha ajo.
Në anën tjetër, ministrat në Qeverinë e Kosovës iu përgjigjen pyetjeve parlamentare që vinin kryesisht nga deputetët e mazhorancës.