UBT News

​Përfundon greva e shoferëve nga Podujeva

Pas shtatë ditësh grevë, shoferët e trafikut ndër urban Podujevë- Prishtinë larguan të mërkurën autobusët nga rruga para objektit të komunës së Prishtinës. Kjo pasi që të njëjtit, kanë arritur një marrëveshje me Komunën e Prishtinës.

Shoferët e shoqatës së transportit Llapi, kanë mbajtur grevë për shtatë ditë, si kundërshtim për vendimin e Komunës së Prishtinës që ndalon futjen e autobusëve ndërurbanë brenda qytetit.

Por, nga marrëveshja që kanë arritur me komunën, tashmë kjo linjë do të kalojë nga rruga “Zagrebi” dhe para se të arrijë në stacionin e autobusëve, si ndalje të parafundit do të jetë në rrugën afër shkollës “Model”.

Gjithashtu, kjo linjë ka bërë të ditur se sot, për të gjithë udhëtarët e Podujevës do të jenë biletat falas deri në ora 23:00.

Nënkryetari i Prishtinës, Florian Dushi tha se kjo linjë e re po konsiderohet më periferike, që autobusët të mos hynë në qendër të kryeqytetit.

Ai, ka bërë të ditur se kjo zgjidhje është e përkohshme, derisa të arrijnë një marrëveshje me kryetarin e Komunës së Podujevës.

Pas shumë bisedave që kemi pasur edhe me shoqatën e transportuesve nga Podujeva, e që i kemi pasur tash e disa ditë në një grevë këtu përballë objektit të komunës, kemi ardhur në një përfundim, që megjithatë ata do të shfrytëzojnë një linjë tjetër që konsiderohet më periferike, në kuptimin larg pjesës qendrore të qytetit për të vazhduar në destinacionin e tyre të fundit, në stacionin e autobusëve. Edhe kjo zgjidhje është e përkohshme, për faktin se ne tashmë jemi pajtuar bashkë edhe me komunën e Podujevës që të ulemi dhe ta negociojmë një marrëveshje e cila do të zgjidhte përfundimisht këtë problematikë në mes të dy komunave”, tha Dushi.

Dushi shtoi se bileta që do ta shfrytëzojnë qytetarët për të ardhur në Prishtinë, e njëjta do vlejë edhe në shfrytëzimin e linjave të Trafikut Urban në kryeqytet.

Në këtë kuadër, një prej masave tjera që kryeqyteti ka ndërmarrë dhe që konsiderojmë që dotë lehtësojë dhe do të ulë koston e shpenzimeve për qytetarët të cilët frekuentojnë kryeqytetin, është se e kemi vendosur për një biletë të integruar, sepse bileta që ata do të përdorin për të ardhur nga për shembull Podujeva në Prishtinë, e njëjta do të ju vlejë edhe për të shfrytëzuar linjat e Trafikut Urban brenda kryeqytetit”, shtoi Dushi.

Ndërsa, kryetari i shoqatës së transportit “Llapi”, Beqir Mustafa u shpreh se autobusët do të largohen menjëherë nga qendra dhe do të fillojnë punën nga sot.

Ne kemi arritur një marrëveshje me komunën dhe Ministrinë e Infrastrukturës, na kanë lejuar rrugën e “Zagrebit” me e shfrytëzua, stacioni i parë pa hy te rruga “Zagrebi” te shkolla “Model”. I falënderoj komunën dhe ministrinë, që gjetëm bashkëpunim dhe arritëm këtë pikë. Autobusët do të largohen menjëherë dhe do të fillojnë punën”, u shpreh Mustafa.

 

Exit mobile version