Me fillimin e kësaj jave janë mbyllur dyert e komisionit për njohjen e statusit të grave e burrave të dhunuar seksualisht në luftë. Të dielën ka përfunduar afati pesëvjeçar i komisionit qeveritar dhe nga i njëjti do të shqyrtohen vetëm aplikimet që janë deponuar deri me datën 5 të këtij muaji. Anëtari i sekretarisë së komisionit, Labinot Bala tregon se që nga fillimi i procesit komisioni ka pranuar gjithsej 1935 aplikacione.
Së fundmi është iniciuar plotësimi i ligjit për zgjatjen e afatit për aplikim dhe ka filluar diskutimi publik, thotë drejtoresha e QKRMT-së, Feride Rushiti. Ajo tregon se kanë dorëzuar rekomandimet e tyre, me kërkesën që afati për aplikim të mos kufizohet në dy vitet e ardhshme, meqë krimet e luftës nuk parashkruhen. Ajo tha se që nga viti i kaluar me tri organizatat tjera të mandatuara kanë bërë thirrje që të bëhet zgjatja e afatit për aplikim. Sipas saj, tashmë ky proces është në vakuum ligjor dhe të mbijetuarit nuk mund të aplikojnë.
“Sot e kemi një vakuum ligjor, të mbijetuarit e dhunës seksuale nuk mund të aplikojnë, pasi mandati i komisionit është jashtë ligjor prej periudhës 5 shkurt. Aktualisht jemi duke i deponuar ne si organizata, por edhe organizatat tjera kërkesat tona në raport me hapjen e ligjit për vlerat e luftës në raport me mandatin e komisionit. Është pak shqetësuese fakti se në mënyrën kur është hapur si ligj është thënë se ky mandat mund të shtyhet deri në vitin 2025, çka për neve paraqet shqetësim në vetvete për faktin që afati për aplikim të mbijetuarve të dhunës seksuale të luftës për tu njohur të drejtat dhe beneficionit që ua garanton ligji, nuk duhet të afatizohet”, deklaron Rushiti.
Drejtoresha e Qendrës Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës shton se afati për aplikim nuk duhet të ketë afat të caktuar meqë limiton gratë e burrat e dhunuar seksualisht.
“Deri më datë 8 shkurt është e hapur mundësia për të deponuar edhe arsyetim edhe fakte të tjera se pse duhet të jetë më gjatë dhe këtë drejtim organizatat joqeveritare veç i kanë deponuar kërkesat e veta….Ne fillimisht jemi munduar të arsyetojmë pse duhet të jetë i pa limituar, për faktin që natyra e krimit të dhunës seksuale dallon nga natyra e krimeve të tjera. Jo vetëm të mbijetuarit por edhe familjarët e tyre ende jetojnë të rrethuar nga stigma, paragjykimi, turpi dhe nuk është e lehtë që të merret ai vendim në familje”, shton ajo.
Përmbyllja e afatit për aplikim, siç thotë Rushiti, është dekurajuese për vetë viktimat e dhunës seksuale.
“Është jo inkurajim për faktin që me vite të tëra në pesë vitet e fundit organizatat joqeveritare por edhe institucionet janë munduar ta qojnë mesazhin pozitiv te familjarët, te të mbijetuarit, te komuniteti për t’i fuqizuar ata dhe ato për të aplikuar. Fakti që tash e kemi këtë vakuum ligjor pa dyshim që është një hap prapa dhe kjo mund t’i demotivojë shumë familjarët për t’iu qasur institucionit… Frika ekziston që kjo mund të zgjas deri katër apo gjashtë muaj si çdo legjislacion i mundshëm, diskutimet në grupe parlamentare e kështu me radhë”, përfundon Rushiti.
Aprovimi i statusit të viktimës së dhunës seksuale u jep të drejtë viktimave që të marrin pagesë mujore prej 230 euro në muaj.
Projektligji për plotësimin e ligjit në fuqi përcakton afatin e aplikimit edhe për dy vjet tjera, deri në maj të vitit 2025. I njëjti është lansuar edhe në platformën online për konsultime me publikun.