UBT News

Përfundojnë punimet në dy ndërtesa sociale në Hajvali, Kurti: Kursim i energjisë deri në 50%

Fondi i Kosovës për Efiçiencë të Energjisë ka përuruar sot edhe dy ndërtesa sociale në lagjen Hajvali të Prishtinës, pas përfundimit të punimeve me masat e efiçiencës së energjisë.

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, tha se në këto dy objekte jetojnë 100 familje, ndërsa investimi mundëson kursim të energjisë elektrike deri në 50%.

Patëm rastin që të takohemi edhe me operatorin ekonomik i cili i ka kryer punimet dhe gjithashtu edhe me njërin nga banorët, Sami Murtezin, veteran i UÇK-së, i cili këtu banon me djalin e tij dhe bashkëshorten e tij, e që njëkohësisht edhe kujdeset për mirëmbajtjen e objektit sepse ky investim i madh nga BE-ja kërkon mirëmbajtje. Na u bë qejfi që njëri nga banorët e bën këtë punë. Sikurse te Medreseja, edhe këtu në Hajvali renovimi përfshin izolimin e kulmeve dhe mureve, ndërrimin e dyerve dhe dritareve, secila nga banesat këtu e ka edhe klimën. I kemi 100 familje në këto ndërtesa në Hajvali, këtu kursimi i energjisë elektrike është gati 50 për qind. Në gjithë Kosovën janë 28 ndërtesa sociale”, tha Kurti.

Ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, tha se këto dy ndërtesa, ashtu si edhe ato të përuruara më herët, janë renovuar duke përfshirë mbi 300 përfitues në të gjitha ndërtesat, ndërsa në 23 ndërtesa në 13 komuna janë mbi 880 familje përfituese nga ky projekt.

Është kënaqësi të shohim që edhe banorët po përkujdesen për mbarëvajtjen e punëve këtu dhe për mirëmbajtjen e objektit. Një pikë kyçe e këtij investimi, marrëveshja me komunat, është që komunat të përkujdesen për mirëmbajtjen e investimeve”, tha ajo.

Alessandro Bianciardi nga Zyra e BE-së në Kosovë tha se është i lumtur të shohë përfundimin e këtyre dy ndërtesave, rinovimi i të cilave kushtoi rreth 540 mijë euro dhe ka ndihmuar 100 familje në nevojë sociale.

Kjo është pjesë e të ashtuquajturës paketë e mbështetjes energjetike e cila është financuar nga Komisioni Evropian për një total prej 75 milionë euro dhe e cila është hartuar së bashku me qeverinë dhe me Fondin për Efiçiencë të Energjisë, në mënyrë që, të themi, të zbatohen disa masa që do të sjellin efiçiencë energjetike, që do të na lejojnë të fusim më shumë energji të ripërtëritshme në Kosovë dhe që, në fund, do të ndihmojnë Kosovën në tranzicionin e saj drejt një ekonomie me më shumë efiçiencë energjetike”, tha Bianciardi.

Drejtori i Transformimit në Komunën e Prishtinës, Gëzim Kastrati, falënderoi Zyrën e BE-së dhe Ministrinë e Ekonomisë për bashkëpunimin.

Shpresoj që në të ardhmen të kemi bashkëpunime të tjera për përmirësimin e kualitetit të jetës së banorëve dhe reduktimin e shpenzimit të energjisë elektrike”, tha Kastrati.

Exit mobile version