Kanë përfunduar të premten gërmimet disa javore në lokacionet Kalludër i Vogël dhe Jabukë të Zubin-Potokut, ku janë zbuluar mbetje mortore që dyshohet se u përkasin 23 personave të zhdukur me forcë.
Kushtrim Gara nga Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur ka konfirmuar përfundimin e procesit katërjavor të gërmimeve, vlerësimit dhe zhvarrosjes së mbetjeve mortore.
Sipas të dhënave të Komisionit, në një nga lokacionet e Kalludrit të Vogël janë gjetur mbetje mortore të 13 personave, në Jabukë të 4 personave, ndërsa në një lokacion tjetër në Kalludër të Vogël janë gjetur mbetje të 6 personave.
Gara ka thënë se tash pritet që mbetjet të kalojnë në ekzaminime mjekoligjore dhe procesin e identifikimit përmes analizës së ADN-së.
Ndërkohë, ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka bërë të ditur se armatimi i konfiskuar në zonën përreth Kalludrit do të ekzaminohet, për të verifikuar nëse mund të ketë lidhje me vrasjen e 23 personave, mbetjet e të cilëve janë gjetur në këto lokacione.
Gërmimet në këtë zonë paraqesin një tjetër etapë në përpjekjet për zbardhjen e fatit të personave të zhdukur dhe identifikimin e tyre./A.K/
