UBT News

Përfundojnë deklaratat hyrëse në Hagë

Në Dhomat e Specializuara në Hagë kanë përfunduar deklaratat hyrëse të Zyrës së Prokurorit të Specializuar, mbrojtësit të viktimave dhe ekipeve të mbrojtjes të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Në ditën e tretë të gjykimit, mbrojtja e Jakup Krasniqit ishte e fundit që mbajti deklaratat hyrëse, duke argumentuar se ndaj ish-zëdhënësit të UÇK-së, organi i ndjekjes “nuk ka prova” që e lidhin atë me ndonjë nga krimet e pretenduara.

Vetë Krasniqi iu drejtua trupit gjykues duke thënë se nuk ka kryer ndonjë krim, as “para luftës, gjatë luftës dhe pas luftës”. Ai tha se është “absurde” akuza se ai dhe ish-krerët e tjerë të UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe Rexhep Selimi, kanë “persekutuar” anëtarë të Lidhjes Demokratike të Kosovës. Krasniqi tha se vetë ka qenë pjesë e LDK-së.

Prokuroria ka pretenduar se të akuzuarit kanë udhëhequr një “ndërmarrje të përbashkët kriminale” që ka shënjestruar kundërshtarët e perceptuar të UÇK-së, përfshirë edhe mbështetësit e LDK-së./REL

Exit mobile version