Një zjarr me përmasa të mëdha ka përfshirë një pjesë të bjeshkëve të fshatit Shtupeq i Madh në Rugovë.
Në të njëjtin lokacion, që shtrihet në kuadër të Parkut Kombëtar “Bjeshkët e Nemuna” ditë më parë ishte shfaqur zjarri që zjarrfikësit e Pejës bashkë me pylltarët e Drejtorisë së Parkut Kombëtar “Bjeshkët e Nemuna” e kishin shuar. Mirëpo, zjarri është riaktivizuar përsëri.
“Zjarrin e kemi shuar por është riaktivizuar prapë. Zjarri tash është me përmasa më të mëdha sesa që ka qenë dy ditë më parë kur është shuar. Zjarrfikësit janë në terren bashkë me disa pylltarë dhe janë duke bërë përpjekje më shua zjarrin”, tha për KOHËN, shefi i njësisë së zjarrfikësve të Pejës, Butrint Lajçi.
Ai tregoi se terreni është shumë i papërshtatshëm dhe nuk ka mundësi që të shkohet me automjete deri në vendin e ngjarjes.
“Në pamundësi me dërgua automjetet deri në vendin e ngjarjes, po duhet me kilometra me ec me shpinare në shpinë prej automjetit ku i lenë e deri te lokacioni ku është zjarri. Se me automjete nuk ka kurrfarë mundësie me shkua në pjesën ku është zjarri, sepse s’ka rrugë. Por jemi duke bërë përpjekje çka mund të bëjmë ta shuajmë zjarrin”, tha Lajçi.
Ai tregoi se tash janë në konsultim dhe me Drejtorinë Komunale për Mbrojtje dhe Shpëtim, të cilës siç tha Lajçi, ia ka dërguar edhe raportin për gjendje në terren dhe nevojën e intervenimit nga ajri për ta shuar zjarrin. Për intervenim nga ajri e vetmja mundësi është dalja në ndihmë e KFOR-it me helikopterë. Këtë ndihmë nga KFOR-i komuna ende nuk e ka kërkuar.
“Rreziku është i madh për tu përhapur zjarri edhe më shumë. Nga KFOR-i ende nuk kemi kërkuar ndihmë por e kemi parasysh këtë mundësi dhe na duhet me kërkua ndihmën e KFOR-it nëse zjarri merr përmasa më të mëdha”, tha për KOHËN drejtori për Mbrojtje dhe Shpëtim, Muhamet Mahmutaj. Për shfaqjen e zjarrit në atë bjeshkë nuk përjashtohet faktori njëri, ndonëse ende nuk është bërë ndonjë vlerësim.
“Ka mundësi që është shfaqur nga pakujdesia e qytetarëve. Me gjasë poshtë është shfaqur zjarri dhe ka përfunduar atje lartë. Por do të bëhen vlerësimet më vonë. E aktualisht në terren janë zjarrfikësit dhe punëtorët tonë. Me automjete është e pamundur të shkohet deri të vendin ku është zjarri”, tha për KOHËN drejtori i Drejtorisë së Parkut Kombëtar “Bjeshkët e Nemuna”, Fatmir Morina.
Kjo Drejtori bën thirrje për kujdes për mbrojtjen e pyjeve nga zjarret, duke pasur parasysh tash këtë zjarr, i cili për shkak të terrenit të vështirë dhe vështirësive të mëdha për shuarjen e tij, paraqet rrezik që të merr përmasa më të mëdha. Drejtoria e Parkut Kombëtar “Bjeshkët e Nemuna”, bën apel tek banorët, vizitorët në zonën e Rugovës, shfrytëzuesit e pronave dhe qytetarët tjerë që të kenë kujdes maksimal në parandalimin e paraqitjes së zjarreve dhe përhapjes së tyre në territorin e parkut.
Drejtoria e parkut “Bjeshkët e Nemuna”, po ashtu ka vënë në dispozicion edhe numrin e telefonit (048/222-718) për informim në rast të paraqitjes së ndonjë zjarri eventual në territorin e këtij parku kombëtar, si dhe numrat e zakonshëm emergjentë të institucioneve tjera me rëndësi që duhet t’i keni parasysh në raste të zjarreve dhe fatkeqësive tjera natyrore: Zjarrfikësit: 193; Policia e Kosovës: 038/192, dhe mobil 192; Qendra e thirrjeve në kuadër të Policisë së Kosovës: 112; dhe Ndihma e shpejtë: 194 dhe 038/ 500 094./koha.net