Disa e duan, të tjerët e urrejnë. Si shumë gjëra të tjera, ushqimi pikant është çështje shijesh. Por këto ushqime nga studiuesit po konsiderohen të shëndetshme.
Pikantja stimulon metabolizmin dhe tretjen dhe gjithashtu ju bën të lumtur.
Ushqimet që perceptohen si pikante stimulojnë receptorët tanë të dhimbjes. Në mënyrë që të zbusë dhimbjen, trupi ynë pastaj çliron endorfina (hormonet e lumturisë). Këto sigurojnë relaksim dhe humor të mirë, shkruan RTL.de, përcjell KlanKosova.tv
Substancat pikante që përmbajnë, të tilla si piperina ose kapsaicina, stimulojnë prodhimin e acidit gastrik, gjë që rrit sistemin tonë imunitar duke vrarë bakteret.
Përveç kësaj, ushqimi pikant stimulon rrjedhën e gjakut në mukozat e hundës dhe si rezultat, trupi ynë mbrohet më mirë nga depërtimi i patogjenëve që shkaktojnë sëmundje. E për ata që tashmë kanë një të ftohur ose grip, efekti stimulues i qarkullimit siguron që hunda e bllokuar të pastrohet më shpejt.
Ushqimet pikante po ashtu stimulojnë aftësitë motorike të stomakut dhe rrisin prodhimin e lëngut gastrik, të cilat së bashku përshpejtojnë tretjen. Në këtë mënyrë, ushqimet me yndyrë që qëndrojnë normalisht në traktin gastrointestinal për një kohë të gjatë mund të treten më shpejt dhe më mirë.
Këto ushqime gjithashtu stimulojnë rrjedhën e pështymës. Për shkak se dhëmbët lahen vazhdimisht me pështymë, bakteret kanë pak mundësi të sulmojnë dhëmbët. Prandaj, ju gjithashtu mund të parandaloni prishjen e dhëmbëve nëse rregullisht përfshini disa përbërës pikantë si mustardë, hudhër ose qepë në dietën tuaj.