Koreja e Veriut ka mohuar akuzat e Koresë së Jugut për dërgimin e trupave në Rusi për të ndihmuar Moskën në luftën kundër Ukrainës. Një përfaqësues i Phenianit në OKB e quajti këtë si “thashetheme të pabaza” dhe theksoi se ato synojnë të njollosin imazhin e Koresë së Veriut dhe të minojnë marrëdhëniet mes dy vendeve.
Koreja e Jugut kishte raportuar se Pheniani kishte dërguar 1.500 pjesëtarë të forcave speciale për trajnime në Rusi, të cilët do të ishin të gatshëm për t’u angazhuar në vijat e frontit në Ukrainë. Ndërkohë, ambasadori amerikan në OKB, Robert Wood, shprehu shqetësim nëse këto pretendime do të ishin të vërteta, duke theksuar se kjo do të përshkallëzonte situatën.
Përveç kësaj, Seuli po shqyrton mundësinë për të dërguar një ekip në Ukrainë për të monitoruar situatën dhe për të analizuar strategjitë e Koresë së Veriut në fushëbetejë./UBTNews/