Rektori i UBT-së, prof.dr. Edmond Hajrizi ka mirëpritur në Parkun Shkencor Inovativ të UBT-së, përfaqësuesit e Odës së Afarizmit të Kosovës (OAK), të prirë nga kryetari i bordit, Skënder Krasniqi.
Në këtë vizitë, rektori Hajrizi i ka njoftuar nga afër përfaqësuesit e Odës së Afarizmit të Kosovës me punën e UBT-së, programet e studimit, si dhe zhvillimet e fundit që institucioni i ka bërë në funksion të shkencës, teknologjisë dhe inovacionit.
Theks të veçantë në këtë takim iu dha instalimit të rrjetit më të ri të teknologjisë – 5G, si një teknologji e re e cila po bën dominimin në botë, e cila së fundmi është kompletuar në Parkun Shkencor Inovativ të UBT-së, në Lipjan.
Përfaqësuesit e Odës së Afarizmit të Kosovës, u njoftuan edhe me aspekte të tjera të punës së institucionit, që studentëve dhe palëve të treta që vijnë nga industria iu mundëson bashkëveprimin në një komunitet të krijuar nga ekosistemi i dijes në UBT.