Në Kiev të Ukrainë është mbajtur samiti ndërkombëtar “Platforma për Krimenë”. Në fjalën hapëse të samitit Presidenti i Ukrainës deklaroi se “Krimea është e Ukrainës” dhe kundërshtoi ashpër aneksimin e Krimesë nga Rusia duke akuzuar atë se e ka kthyer Krimenë në një bazë ushtarake.
Njëherit, ai paralajmëroi për rrezikun që sjell ky veprim për rajonin dhe botën, duke kërkuar mbështetjeje nga Perëndimi për kthimin e territorit të okupuar nga Rusia.
Në këtë samit, pjesëmarrës ishin liderë nga shtete të ndryshme si dhe përfaqësues të organizatave të ndryshme ndërkombëtare si NATO, Bashkimi Evropian, Këshilli i Evropës, etj.
Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel deklaroi se Bashkimi Evropian nuk do ta njohë kurrë Krimenë si pjesë të Rusisë. Ndërsa Sekretarja e Përgjithshme e Këshillit të Evropës, Marija Pejçinoviq Buriq deklaroi se “Ne mbetemi të palëkundur në mbështetjen tonë për pavarësinë, sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës brenda kufijve të saj të njohur ndërkombëtarisht”.
Ministria për Marrëdhëniet me Parlamentin e Republikës së Shqipërisë, përmes një postimi në rrjetin social “Facebook” njoftoi për qëndrimet e pjesëmarrësve të këtij samiti. Sipas Spiropalit, “Në Samitin e Platformës së Krimesë në Kiev miratuam Deklaratë të përbashkët për mbështetjen e Ukrainës kundër agresionit rus: Mbështetje e palëkundur për integritetin territorial, sovranitetin dhe tërësinë e Ukrainës; Dënimi i aneksimit të Krimesë si kërcënim serioz i paqes dhe sigurisë ndërkombëtare.”
Pjesëmarrësit e samitit deklaruan se aneksimi i Krimesë nga Rusia është shkelje e ligjit ndërkombëtar, ata ri konfirmuan mbështetjen e parezervë ndaj integritetit territorial ndaj Ukrainës dhe vazhdimin e sanksioneve ndaj Rusisë.