Paracetamoli përdoret gjatë shtatzanisë nga një në dy gra, megjithatë ekspertët paralajmërojnë kundër përdorimit të tij për një kohë të gjatë.
Sipas një deklarate të botuar në revistën Nature Reviews Endocrinology nga shkencëtarë danezë, paracetamoli duhet të merret vetëm kur është rreptësisht e nevojshme dhe vetëm sipas këshillës mjekësore, në dozën më të ulët të mundshme.
“Është e nevojshme të bëhen hulumtime mbi efektet e mundshme negative të paracetamolit në zhvillimin e fetusit”, tha David Kristensen, nga Universiteti i Kopenhagës.
Ekspertët danezë rishikuan të gjithë literaturën shkencore nga 1995 deri në 2020 për paracetamolin dhe shtatzëninë, duke vlerësuar të gjitha studimet e bëra.
Nga ky rishikim u vu re një lidhje e mundshme midis problemeve neuro-zhvillimore, urogjenitale dhe riprodhuese dhe përdorimit të paracetamolit në shtatzëni.
Sipas tyre, ky rrezik duhet të vlerësohet me hulumtime ad hoc dhe studime epidemiologjike në shkallë të gjerë.
“Agjensitë rregullatore, Administrata amerikane e Ushqimit dhe Barnave (FDA) dhe Agjensia Evropiane e Barnave (EMA), duhet të rishikojnë të gjitha të dhënat epidemiologjike dhe eksperimentale në dispozicion për të hartuar një vlerësim të rrezikut të bazuar në dëshmi, për të informuar pacientët dhe mjekët që shpesh nënvlerësojnë përdorimin e paracetamolit gjatë shtatzënisë”, përfundon Kristensen