Fizioterapeutët dhe specialistët e shëndetit muskulor po paralajmërojnë për një fenomen që po prek shumë njerëz, sidomos të rinjtë: dhimbjet kronike të qafës e shpatullave të shkaktuara nga përdorimi i tepërt i telefonave.
Qëndrimi i gjatë me kokën ulur përpara ekranit krijon tension të madh në muskujt e qafës, duke çuar në atë që njihet si “qafa e teknologjisë” (text neck).
Një pozicion i tillë rrit presionin mbi qafën deri në katërfish, krahasuar me qëndrimin e drejtë. Me kalimin e kohës, kjo shkakton jo vetëm dhimbje por dhe shtrembërime të qëndrimit trupor, si dhe ulje të lëvizshmërisë në zonën e shpatullave.
Për më tepër, mungesa e aktivitetit fizik dhe qëndrimi ulur për periudha të gjata vetëm sa e përkeqësojnë situatën.
Ekspertët këshillojnë pushime të shkurtra çdo 30 minuta, ushtrime të lehta shtrirjeje dhe forcimi të muskujve të qafës dhe shpinës. Gjithashtu, sugjerohet mbajtja e telefonit në nivelin e syve për të shmangur përkuljen e kokës.
Kujdesi i përditshëm ndaj posturës mund të bëjë ndryshim të madh në parandalimin e problemeve afatgjata.