Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka përditësuar rezultatet e partive politike teksa po vazhdon numërimi i votave të ardhura me postë nga diaspora.
Sipas të dhënave më të fundit, Lëvizja Vetëvendosje ka arritur në 53 ulëse të siguruara në Kuvendin e Kosovës. Ndërkohë, Lidhja Demokratike e Kosovës ka rënë në 18 ulëse.
Partia Demokratike e Kosovës ka ruajtur 22 ulëset që kishte më parë, ndërsa Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës vazhdon të ketë 7 ulëse.
KQZ-ja ka bërë të ditur se deri në mesditën e së mërkurës pritet të përfundojë numërimi i të gjitha fletëvotimeve të ardhura nga votimi jashtë Kosovës përmes postës.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka njoftuar se deri në fund të ditës do të procedohen për numërim 216 nga gjithsej 223 kuti votimi me vota të diasporës, ndërsa shtatë kutitë e mbetura do të numërohen gjatë orëve të paradites së të mërkurës.
Paralelisht, KQZ-ja do të nisë edhe numërimin e votave me kusht, ku janë evidentuar 8,751 votues në 52 vendvotime në mbarë vendin. Gjithashtu, do të fillojë edhe numërimi i votave të personave me nevoja të veçanta.
Me këto procese, numërimi i rezultateve zgjedhore po hyn në fazën përmbyllëse.
/A.K/
