Trazirat po vazhdojnë në Iran dhe ekspertët paralajmërojnë se po shfaqen përçarje brenda Qeverisë së Iranit, raporton AFP.
Pavarësisht shtypjes së ashpër nga ana e regjimit, si vrasjet e ndalimet masive dhe katër ekzekutime deri më tani, protestat po vazhdojnë në Iran, megjithëse në forma të ndryshme dhe më sporadike.
“Proceset revolucionare zakonisht përfshijnë faza të qetësisë relative dhe të tjera trazira”, tha Ali Fathollah-Nejad, një politolog në Universitetin Amerikan të Bejrutit.
Megjithëse ka pasur një “rënie relative” në numrin e protestave, Irani është “në një ngërç, as regjimi dhe as protestuesit nuk janë në gjendje të imponohen”, vazhdoi ai, duke lënë të kuptohet se do të ketë trazira të mëtutjeshme ndërsa kriza ekonomike po thellohet.
Protestat nisën pas vdekjes së 22-vjeçares Mahsa Amini më 16 shtator. Ajo vdiq teksa ishte në paraburgim pas arrestimit nga e ashtuquajtura policia e moralit, nën dyshimet se nuk e kishte veshur siç duhet hixhabin.
Shumë shpejt protestat u shndërruan në sfidë për qeverinë islamike të Iranit, e cila nuk pëlqehet nga një pjesë e madhe e popullsisë.
“Me humbjen e konsiderueshme të vlerës së monedhës iraniane… mund të priten protesta që fokusin do ta kenë në ekonomi, e cila, siç tregon e kaluara, mund të bëhet shpejt politike”, tha Fathollah-Nejad.
Të dielën, monedha iraniane arriti nivelin më të ulët historik prej 450 mijë rialësh për dollarin amerikan në tregun e hapur.
Përballë shtypjes së dhunshme, protestat dhe aktet e tjera të rezistencës si shkrimi i sloganeve apo shkatërrimi i tabelave të qeverisë janë shtuar, transmeton enqelab.info, e cila monitoron aktivitetin e protestuesve.
“Kryengritja kombëtare është e gjallë, megjithëse mënyrat se si njerëzit e shprehin mospajtimin e tyre ka ndryshuar për shkak të goditjes vdekjeprurëse të autoriteteve gjatë [vjeshtës]”, shkroi enqelab në një deklaratë.
Sipas OJQ-së norvegjeze Iran Human Rights, të paktën 481 persona janë vrarë dhe të paktën 109 persona janë në rrezik të ekzekutimit për shkak të protestave. Katër burra tashmë janë ekzekutuar.
Autoritetet në Teheran thonë se në mesin e viktimave ka edhe anëtarë nga forcat e tyre të sigurisë. Sipas autoriteteve iraniane, protestat janë trazira të dhunshme që u nxitën nga fuqitë e huaja.
OKB-ja ka regjistruar gjithashtu rreth 14 mijë të arrestuar gjatë protestës. Ata ishin kundër ligjeve islame duke e bërë të detyrueshme për gratë iraniane mbulimin e flokëve me shami.
Protestat thjesht kanë rënë sepse “qytetarët janë më të kujdesshëm”, thotë Roya Boroumand, bashkëthemeluese e Qendrës Abdorrahman Boroumand, një OJQ iraniane për të drejtat e njeriut.
“Por ato nuk kanë mbaruar”, vazhdoi ajo.
Goditja brutale e Teheranit po e shtyn atë edhe më larg nga Perëndimi, duke e vënë në akull çdo përpjekje për të ringjallur marrëveshjen bërthamore të vitit 2015.
Autoritetet iraniane janë gjithashtu të zemëruara me OKB-në për nisjen e një misioni faktmbledhës për shtypjen e protestës. Por ndarjet duket se po shfaqen brenda autoriteteve, ndërsa Teherani nuk i ka mobilizuar të gjitha mjetet e tij represive, pavarësisht gjakderdhjes, sipas vëzhguesve.
Irani këtë muaj ekzekutoi ish-zëvendësministrin e Mbrojtjes, Alireza Akbari, i cili kishte marrë nënshtetësinë britanike pasi la postin e tij, për spiunazh për Mbretërinë e Bashkuar.
Cornelius Adebahr, një bashkëpunëtor jorezident në qendrën kërkimore Carnegie Europe, tha se ky ishte një “vendim i papritur” që ndoshta tregon për një “luftë për pushtet” midis elitave se si të trajtohen protestat.
Alireza Akbari shihej si i afërt me Sekretarin e Këshillit të Lartë të Sigurisë Kombëtare, Ali Shamkhani dhe figura të tjera që mbrojtën disa reforma për të adresuar ankesat e protestuesve.
“Ka shenja përçarjejeje në pushtet”, shtoi Fathollah-Nejad. Ky ekzekutim tregon se “ka krijuar mosbesim te të brendshëm të regjimit”./UBTNews/