Shkruan: Safet Zejnullahu
(A mund t’i ndalim krejtësisht – për një kohë – raportimet për vetëvrasjet?)
Rastet e vetëvrasjeve janë të vetmet raste kur duhet të “luteni” që lajmi juaj të lexohet sa më pak.
Janë i vetmi rast që, pavarësisht të dhënave që keni, nuk duhet të raportoni me senzacionalizëm, me ngut, me zjarrmi.
Ndaj:
– Raportojeni një rast vetëvrasjeje në një vend sa më pak të dukshëm në median tuaj.
– Mjaftohuni vetëm me inicialet e fatkeqes/it.
– Mos ia publikoni fotografinë.
– Mos thoni se “vetëvrasjet janë kthyer në epidemi”.
– Mos saktësoni se “disa nga vetëvrasjet e fundit kanë ndodhur në këtë mënyrë (duke saktësuar veprimin)”.
– Përkujtoni se të gjitha sëmundjet kanë ilaç dhe nuk janë zgjidhje veprimet kundër jetës së njeriut.
– Shpjegoni që nuk ka problem që nuk zgjidhet – gjithnjë është më mirë të kërkohet ndihmë nga miqtë e institucionet.
– Publikoni emrat, emailat dhe numrat e telefonave të klinikave e institucioneve përkatëse që janë ndihmë e këshilla për njerëzit në vështirësi.
– Krahas çdo lajmi të rëndë nga kronika e zezë, publikoni këshilla nga profesionistët.
– MOS THEKSONI KURRË MOTIVIN E NJË VETËVRASJEJE! Do të bëheni bashkëfajtor për vetëvrasjen e radhës.
Pëfundimisht, si profesionist, mbështes mendimin se mediat serioze dhe më të lexuara/shikuara do të duhej që, për një periudhë të caktuar kohore
– të MOS i publikojnë fare rastet e vetëvrasjeve!
Mund të duket hap i skajshëm, por shembujt nga literatura, si ai i Vjenës, na tregojnë se, me veprimet tona, mund të shpëtojmë jetë. Mision më të rëndësishëm në jetë nuk ka!
Shënim: “Në mes të viteve 1984 dhe 1987, gazetarët e Vjenës kanë mbuluar rastet e vdekjeve të individëve që u kanë dalë trenave përpara, nëpër metro të ndryshme. Raportimet ishin masovike dhe dramatike. Në vitin 1987, u organizua një fushatë ku u jepej vërejtje gazetarëve që raportimet e tyre potencialisht mund të kenë efekte negative dhe u propozua për forma alternative të raportimit. Në gjashtëmujorin e parë, pas kësaj fushate, vetëvrasjet në metro ranë për tetë për qind. Numri i përgjithshëm i vetëvrasjeve në Vjenë zbriti gjithashtu”.
(Një shembull nga libri im “Shkathtësitë e shkrimit” ku është trajtuar gjerësisht raportimi profesional i medias nga lajmet e kronikës së zezë, me theks të veçantë rastet e vetëvrasjeve)
(Autori është profesor në UBT, në Fakultetin e Medias dhe Komunikimit. Ky është një shembull nga libri i tij “Shkathtësitë e shkrimit” ku është trajtuar gjerësisht raportimi profesional i medias nga lajmet e kronikës së zezë, me theks të veçantë rastet e vetëvrasjeve)