Kompania energjetike “Elektrosever D.O.O” që nga 28 dhjetori i vitit 2020, ka dorëzuar kërkesë në zyrën e Rregullatorit për Energji (ZRRE), për marrjen e licencës për të furnizuar me energji elektrike katër komunat e banuara me shumicë serbe në veri të Kosovës. Por, në mungesë të bordit funksional, ky aplikacion nuk mund të procesohet më tutje, thuhet në një përgjigje të kësaj zyreje për Radion Evropa e Lirë.
“Bordi i ZRRE-së është jofunksional që nga mesi i muajit dhjetor të vitit të kaluar. Përkundër që bordi aktualisht ka dy anëtarë, ata sipas ligjit, e kanë të pamundur të marrin vendime”, thuhet në përgjigje.
Qeveria e Kosovës tashmë ka shpallur konkurs për kryesues të bordit edhe për dy anëtarë në bordin e ZRRE-së, duke shfuqizuar konkursin e qeverisë së kaluar.
Gjukaj: Komunat në veriun e Kosovës, problem politik
Kërkesa për licencimin e kompanisë serbe, nuk po i duket serioze, Arben Gjukës, ish-drejtor në Korporatën Energjetike të Kosovës. Ai vë në dyshim kohën e kërkesës së kompanisë, që erdhi vetëm pak ditë pasi ZRRE-ja mbeti pa bord funksional. Gjukaj thotë se Beogradi vazhdimisht ka manipuluar me regjistrimin apo kërkesën për licencim të kompanive serbe.
“Nuk është diçka e rastësishme, është diçka e qëllimshme, pasi Serbia vazhdimisht ka manipuluar, duke pritur që të ketë një marrëveshje gjithëpërfshirëse politike, e mandej të aplikohet për licencë. E konsideroj si njëfarë blerje kohe. Unë nuk e di se gjatë kësaj radhe a është bërë aplikimi konform rregullave dhe dispozitave ligjore të Republikës së Kosovës”, tha Gjukaj.
“Nëse aplikimi është bërë konform ligjeve të Kosovës, konsideroj se do jetë një zgjidhje kreative për të tejkaluar këtë problem të trashëguar për shkak të çështjeve politike, që pas përfundimit të luftës”, shtoi ai.
Por, në ZRRE thonë se kjo zyre shqyrton të gjitha aplikacionet, vetëm duke u bazuar në ligjet dhe rregullat që janë në fuqi.
“Natyrisht se marrëveshja e parasheh licencimin e një kompanie në veri të vendit, por kjo nuk i pengon edhe kompanitë e tjera që të aplikojnë për të marrë licencë të furnizimit”, thuhet në përgjigje të kësaj zyreje.
Licencimi i një kompanie serbe, pjesë e Marrëveshjes e Brukselit
Regjistrimi dhe licencimi i një kompanie serbe është kërkuar në kuadër të dialogut në Bruksel në vitin 2013, ku Kosova dhe Serbia, kanë nënshkruar Marrëveshjen për energjinë. Kjo marrëveshje kishte paraparë krijimin e një kompanie të re, sipas kornizës ligjore të Kosovës, e cila do të furnizojë me energji elektrike konsumatorët në katër komunat veriore, të banuara me shumicë serbe (Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok, Zveçan dhe Leposaviq).
Kompania “Drustvo Elektrosever D.O.O” në vitin 2018 është regjistruar në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve, me bazë në Komunën e Mitrovicës së Veriut, dhe aktivitet kryesor ka tregtinë e energjisë elektrike.
Kusari-Lila: Cilado kompani që plotëson kriteret ligjore në Kosovë, mund të licencohet
Mimoza Kusari- Lila, shefe e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, ka thënë se cilado kompani që i plotëson kushtet dhe kriteret sipas ligjeve të zbatuara në Kosovë, ka të drejtë të hyjë në proces të furnizimit dhe faturimit të energjisë në veri të Kosovës.
“Tash a do të mbetet kjo kompani apo ndonjë tjetër, është çështje e një vendimmarrjeje në ditët ose javët në vazhdim”, tha Kusari- Lila.